Aktualitet

Kuvendi mbylli punimet

Mes refuzimit të Lulzim Bashës për të lënë foltoren, Kuvendi mbylli punimet, pas mesdite. Në të fundit seancë plenare para se BE-ja të vendosë më 28 Qershor për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, kreu demokrat tha se Gjermania është kundër. Por, Basha e mori përgjigjen nga Taulant Balla. Kreu i grupit socialist iu referua Gjermanisë, si vend që mbështet vazhdimisht Shqipërinë. Maxhoranca i miratoi me shpejtësi projektligjet, që gjithashtu morën dhe votën e dy deputetëve të LSI-së, Edmond Haxhinasto e Nasip Naço. Ndërkaq, gjatë seancës plenare ra në sy qëndrimi i deputetit të LSI-së, Luan Rama, i cili u duk se doli haptazi kundër Bashës kur tha se foltorja e Kuvendit, mbahet e uzurpuar në mënyrë të padrejtë. Ai doli për “Degradim të parlamentarizmit”, ndërsa i kërkoi kryeparlamentarit Ruçi, të zbatojë rregulloren. “Ka disa javë që Kuvendi është pushtuar nga informalizmi. Lironi foltoren, ja pse nuk hapen negociatat. Kjo është një shfaqje e shëmtuar. Kam qëndrimin tim si deputet, por foltorja është e zënë”, – u shpreh Luan Rama.