Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, e fundit para 11 majit!

Në orën 10:00, Kuvendi mblidhet në seancën plenare të radhës, e fundit para Parlamentareve të 11 majit. Pritet të votohen edhe disa projektvendime, që lidhen me emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar e kryetarit mes Helidon Halitit e Fatjon Hoxhallit, të përzgjedhur nga Komisioni i Medias.

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së janë Petrit Beci, Rajmonda Bulku, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Eno Civici, Alket Braho, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho e Zamira Kita.

Po ashtu, pritet miratimi i disa projektvendimeve që lidhen me emërimin e disa anëtarëve të Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Bëhet fjalë për Laureta Roshin, Etleva Smaçin, Mentor Beqën, Alma Mirakajn, Simon Mirakajn e Niuton Mulletin.

Fillimisht do të diskutohet dhe miratohet projektligji që i hap rrugën krijimit të Bankës së Zhvillimit në vendin tonë. Gjatë prezantimit të nismës ligjore në komisionet parlamentare, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, u shpreh se “Banka e Zhvillimit vjen si një model që funksionon në Bashkimin Europian, me synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”.

Sipas saj, ky instrument i ri do të rrisë kreditimin, përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nën-financuar të ekonomisë, kryesisht ndërmarrjeve të vogla e të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe startup-et, si dhe mbështetjes së projekteve zhvillimore, që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike e digjitale, me fokus të veçantë te investimet e gjelbra.

Së dyti, Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin për “Rininë”. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, tha se ky hap ligjor synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregulloret europiane, duke krijuar një kornizë më të qartë për politikat rinore dhe duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin profesional të të rinjve.

Një nga risitë kryesore të projektligjit është në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili do të ofrojë mbështetje financiare për të rinjtë që kryejnë praktikën në administratën publike. Përfituesit e programit do të marrin kompensim për shpenzimet e ushqimit dhe transportit, ndërsa në të njëjtën kohë do të ndjekin një cikël trajnimesh profesionale për të fituar aftësi të nevojshme për tregun e punës.

Ajo theksoi se programi synon të ndihmojë të rinjtë të integrohen më lehtë në tregun e punës, pavarësisht nëse ata zgjedhin të vazhdojnë karrierën në sektorin publik apo privat. Projektligji parashikon edhe mbështetje financiare për të rinjtë e talentuar që përfaqësojnë Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare, duke mbuluar të gjitha shpenzimet e tyre për pjesëmarrjen.

Ministrja Muzhaqi e cilësoi këtë si një hap kyç për forcimin e politikave rinore dhe përafrimin e tyre me standardet europiane.