Aktualitet

Laboratori i kokainës në Frakull, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi dënimet me 89 vite burg!

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për grupin e personave të dënuar pas zbulimit të laboratorit të drogës në Frakull të Fierit ku u gjetën dhe u sekuestruan 485 kilogramë kokainë. Vendimi i dhënë nga GJKKO-ja në qershor të këtij viti u ankimua nga Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Zenel Çervanaku, Klajdi Vrioni, Redion Meshi e Marildo Rona.

Apeli la në fuqi dënimin me 89 vite burg për 10 pjestarët e grupit të laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit. Në dënimet e dhëna u aplikua gjykimi i shkurtuar. Julian Malaj i cili u dënua me 2 vite burg nga Shkalla e Parë u lirua nga qelia për shkak të kohëzgjatjes së qëndrimit në paraburgim.

Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme rezultoi se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, planifikuan, organizuan dhe importuan nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesën e drogës.

Kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që u transportua nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Malit të Zi.  Më pas, në rrugë tokësore, ngarkesa hyri në Shqipëri më 19 shtator 2022 dhe pasi u zhdoganua në Tiranë, u transportua në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku u bë sekuestrimi i lëndës narkotike nga Policia Gjyqësore.

Banesa ku u zbulua laboratori i kokainës më 24 nëntor 2022, ishte në pronësi të ish-kryetarit të komunës Frakull, Viktor Çervanaku, i cili do të vuajë 10 vite burg nga gjykimi i shkurtuar.

Dënimet e lëna në fuqi nga Apeli i GJKKO-së:

Nikolin Gjolena 17 vite burg / 11.4 vite burg me gjykim të shkurtuar

Viktor Çervanaku / 15 vite burg – 10 vite burg me gjykim të shkurtuar

Enxhi Ferhati /  12 vite – 8 vite burg me gjykim të shkurtuar

Klajdi Kodra / 17 vite – 11.4 vite burg me gjykim të shkurtuar

Bledar Matoshi / 12 vite – 8 vite burg me gjykim të shkurtuar

Denilson Çervanaku / 17 vite – 11.4 vite burg me gjykim të shkurtuar

Zenel Çervanaku /  14 vite – 9.4 vite burg me gjykim të shkurtuar

Redion Meshi / 14 vite – 9.4 vite burg me gjykim të shkurtuar

Julian Malaj / 3 vite – 2 vite burg me gjykim të shkurtuar për (moskallëzim krimi ) lirohet menjëherë

Marildo Rona / 12 vite – 8 vite burg me gjykim të shkurtuar