Laçi dhe Partizani e kanë mbyllur në barazim 0 me 0. Dueli i parë në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë nuk prodhoi gola në Laç.
Vendasit luajtën me 1 lojtar më pak për më shumë se 70 minuta. Kjo pasi ndërhyrja e Prodanit ndaj Bytyçit u gjykua për karton të kuq nga gjyqtari Maletaj.
Dhe pse me 10 lojtarë, Laçi pati rastet e tij për të shënuar. Në anën tjetër Keko dhe Bintsuka provuan për “demat” në pjesën e parë.
Pjesa e dytë nuk pa asnjë goditje në portën kundërshtare nga Partizani, që dhe pse me 1 lojtar më tepër qëndroi në hije. Laçi u mbrojt mirë dhe po ashtu humbi mundësinë për të shënuar me Melon, ndërsa Alban Hoxha u tregua i vëmendshëm.
LEXO EDHE: 90 mijë tifozë në “Wembley”, çdo gjë gati për Angli-Shqipëri!
Pas ndeshjes trajneri i Laçit, Françesko Moriero deklaroi:
“Në kokën time ishte të vendosja ekuilibër në skuadër. Mendova të vë ekuilibër që të mos i bëja çunat që të vuanin. Në pjesën e dytë e gjetëm dhe nuk vuajtëm me 10 lojtarë, kemi pasur dhe raste për gol. Çunat kanë bërë ndeshje shumë të mirë kundër një skuadre shumë të fortë.
Do shikoj ndeshjen sonte, kemi vuajtur me të drejtë, por e rëndësishme që çunat interpretuan ndeshje në mënyrë perfekte, nuk kisha frikë se do humbisja. Kur luan me skuadër si Partizani, shumë herë kualiteti bën diferencën, të dy ekipet vijnë nga 2 ditë pushim. Kërkuam maksimumin, futa 2 lojtarë të rinj për të mbajtur energjinë për të hënë. Sot taktikisht djemtë ishin perfekt.
Pas përfundimit të sfidës foli trajneri i të kuqve, Aleksandër Veselinoviç. “E kam thënë dje në konferencën para ndeshjes se kjo është vetëm ndeshja e parë. Ndjenjat i kam të përziera. Ndeshja nuk ka qenë shumë e bukur për t’u parë, ka patur shumë dyluftime. Në pjesën e parë patën 3-4 mundësi të pastra, por nuk i shfrytëzuam. Pas 0-0 duhet të bëjmë analizat tona. Sfida tjetër do të jetë e vështirë si kjo. Nuk bën diferencë të madhe nëse luan në shtëpi apo jashtë për mua. Kemi ndeshje që duhet t’i marrim me radhë dhe në sfidën e dytë do shikojmë gjendjen. Rezultati është aktiv për të dy ekipet.
Është pikëpamje sepse çdokush e sheh në mënyrën e vet, kemi pasur 3-4 raste në pjesën e parë. Ndeshja ka qenë me dylyftime. Ajo që mbase vlen është se i është dhënë rasti pothuajse të gjithë lojtarëve. Në këtë ekip ka shumë lojtarë të rinj që duhen përkrahur, në të ardhmen do kemi produkte, kështu që nuk mund të qahemi por do vazhdojmë tutje.
Është e vështirë të krahasoj të dy ndeshjet sepse çdo ndeshje ka specifikat e veta. Dhe e dyta është se sot ka pasur 5 ndryshime në formacion dhe nuk kanë luajtur lojtarët e njëjta, do doja të dukeshim akademikë.
Përsa i përket luftës, e kemi kryer me korrektësi por ka aspekte të tjera që duhet punuar. Ndeshjet e Kupës janë të paparshikueshme, ekipe me nivel të ulët skualifikojnë të tjerë. Kemi përfunduar pjesën e parë dhe do përfundojmë të dytën në fushën tonë”, deklaroi ai.