Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, thirri sot një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale- nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, me fokus të veçantë problemin e paraburgimit në vendin tonë.
Për shkak se Shqipëria me një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Evropë, Lamallari me ekspertët e KiE tregoi ndërhyrjet për ndarjen nga politika e ashpër penale, duke thënë se “koha është tani”.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Evropës, si dhe Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Theo Byl – Gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antëerp në Belgjikë.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë tha se çështja e paraburgimit përbën një nga sfidat më të ndjeshme dhe më domethënëse për vendin tonë.
“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari mes të tjerash.
Në vijim të fjalës së tij ai tha se Shqipëria vend kandidat i Bashkimit Evropian duhet të ndahet një herë e mirë nga mendësia dhe politika e ashpër penale, e trashëguar nga e shkuara dhe të afrohet me atë të familjes në të cilën synojmë të aderojmë së shpejti.