Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale pas ndarjes së papritur nga jeta të gazetarit, analistit dhe publicistit të njohur Artur Zheji.
Në statusin e tij në Facebook, Presidenti Begaj u shpreh:
“Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktiv, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribues në debatin publik në Shqipëri.”
Në një reagim nga qelia, në rrjetet sociale, gjithashtu edhe Veliaj i shpreh ngushëllimet familjarëve pas vdekjes së parakohshme të Artur Zhejit.
Lajm fort i hidhur ndarja nga jeta e Artur Zhejit!
Ngushëllime familjes, të afermve, miqve e kolegëve për humbjen e rëndë të gazetarit dhe publicistit të shquar, që i dha shumë medias shqiptare nga vitet ‘90 e deri sot.
Arturi ishte një intelektual i spikatur, një mendje kritike dhe një gazetar kalibri që do t’i mungojë shumë publikut.
Prehu në paqe mik i mirë!
Gjithashtu edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta para kohe të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji.
Berisha i shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve, duke e cilësuar largimin e tij të beftë dhe të parakohshëm.
Reagimi i Berishës:
Homazh për Artur Zhejin!
Miq, gazeteri, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë.
Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmëve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin.