Sport

LeBron James, pension apo titull/ Legjenda e koshit përjeton një tjetër dështim në NBA!

LeBron James do të mbushë 41 vjeç në dhjetor të këtij viti dhe koha për të synuar një titull në NBA po mbaron.

I ashtuquajturi “Mbreti i basketbollit” dështoi sërish në ambicien e tij për të qenë për herë të pestë kampion i basketbollit amerikan dhe për t’iu afruar atij që cilësohet si më i madh lojtar i të gjitha kohëve, Majkëll Xhordanit.

Legjenda e Çikagos ka 6 tituj, dhe Lebron do ta ketë të vështirë të arrijë tek pesa. Disfata e fundit ishte duke u gdhirë kjo e enjte sipas kohës shqiptare, kur Minesota Timbërulvs eliminoi Lejkërsat që në raundin e parë të play off-it.

Ishte një dështim i hidhur, pasi Lebron me shokë fituan vetëm një duel dhe humbën katër të tjerë, dy prej të cilëve në shtëpi.

Nuk bëri punë niveli i lartë i Xhejmsit, që shënoi 22 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, si dhe vodhi dy topa.

Gjithsesi, lodhja u ndje, sidomos përballë yjeve më të rinj dhe më energjitë të Minesotës me në krye Entoni Eduardsin, që shpesh herë të shuan mallin e Xhordanit.

Lebron gaboi shumë në gjuajtje, ndërsa as Luka Doncic nuk bëri punë, ndonëse shënoi 28 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë. Lejkërsave u mungoi një qendër, pasi Entoni Dejvis u largua, dhe centimetrat i dënuan.

Që kur u fitua titulli në 2020, skuadra e madhe është eliminuar në raundin e parë të play off-it 4 herë në 5 sezone, ndërsa shpresa është të sigurohet një lojtar qendër në verë, dhe që Lebron Xhejms të mbetet në formë edhe 41 vjeç. Kjo nuk është aspak e sigurt.