Rajoni

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me vota nga përfaqësitë diplomatike!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po vazhdon numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike dhe nga 44.19% e vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 81.89 apo 3 mijë e 305 vota. Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 291 vota ose 7.21%. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 5.75%, 232 vota, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.54%, apo 62 vota.

KQZ-ja ka njoftuar se pas numërimit të votave për partitë do të publikojë edhe rezultatet e kandidatëve për deputetë. Numërimi nisi pasditen e 26 shkurtit. Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë.

Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës. Pjesëmarrja ishte 73.56%. Nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.

Pjesëtarët e diasporës po ashtu kanë votuar edhe përmes postës. Por, ato vota, së bashku me votat me kusht brenda Kosovës dhe të personave me nevoja të veçanta do të nisin të numërohen në ditët në vijim, pasi të jenë skanuar listat përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit, në mënyrë që të shmangen rastet e votimeve të dyfishta.

Ndërkaq, sipas rezultateve që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46%. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62%. Kjo parti përkrahet nga Beogradi zyrtar.