Aktualitet

Lezhë, problematike çarja e argjinaturës së lumit Drojë!

Territori i Qarkut Lezhë vazhdon i përfshirë nga reshje shiu, si dhe dëbore në lartësi mbi 700 m.

Më shqetësuese është çarja e argjinaturës së lumit Drojë në krahun e majtë të derdhjes, çka sjell mbingarkesë në hidrovoret e Drojës e Shëllinzës, si dhe rritje të nivelit të ujit në tokat bujqësore në fshatrat e Adriatikut, Fushë Mamurrasit e në të njësisë administrative Fushë Kuqe.

Dhjetëra familje vijojnë të izoluara prej katër ditësh, ndërsa niveli i ujit po rritet nga ora në orë.

Banorët shprehen se përballen me vështirësi të shumta, pasi mungon mundësia e lëvizjes dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Problem mbeten banesat në afërsi të rrugës Laç-Mamurras, në lagjen nr. 5 Sanxhak dhe fshatit Gjorm, ku janë të rrethuara nga uji 5-6 shtëpi. Në këtë zonë, një segment rruge prej 200-300 m është i mbuluar nga uji dhe vështirësohet kalimi.

Sot pritet ardhja e mjeteve të Forcave të Armatosura për të vazhduar punën për riparimin e aksit rrugor Gallatë Vinjollë, në njësinë administrative Milot.

Kuota e lumit Drin ka pasur një rritje me 6 centimetra dhe tani është në lartësinë 1.72 metra.

Në hidrocentralin Qafë Mollë kanë filluar shkarkimet me rreth 201 m³/s, por nuk paraqesin problematika.

Gjatë natës, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë, rrjedha e Fanit të Vogël ka vijuar gërryerjen e tokave bujqësore dhe ka dëmtuar dy shtylla të linjës elektrike në fshatin Kodër Rrëshen.

Për ndërhyrjen emergjente dhe devijimin e rrjedhës së lumit kërkohet mbështetje. Do të vijojë puna për rehabilitimin e rrugës në lagjen Preçaj, fshati Simon, si dhe në Kodër Rrëshen do të ndërhyhet për sistemimin e ujërave sipërfaqsorë pranë planit të rrëshqitjes ku rrezikohet një rrugë.

Në Lezhë raportohet se situata është më e qetë, grupet e punës do të vazhdojnë punën për ndërhyrje në zhbllokime pusetash, kanalesh, largim uji nga bodrumet e pallateve në Lezhë, si dhe largimin e ujit nga rruga Shëngjin Kune.

Në Lezhë, Mirditë e Kurbin procesi mësimor vijon normalisht.