Aktualitet Rajoni

Lirimi i 3 policëve, Begaj: Palët t’i rikthehen dialogut/ Meta: Hap i vonuar por pozitiv

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur lirimin e 3 policëve të Kosovës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Begaj tha se shpreson që pas lirimit palët të ulen në tryezën e dialogut dhe të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel dhe Ohër.

“Përshëndes lirimin e tre policëve të Kosovës. Uroj kthim sa më të shpejtë e efektiv të palëve në tryezën e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel dhe Ohër”, shkruan Begaj.

Ndërkaq, një reagim vjen dhe nga kreu i Partisë së Lirisë. Ilir Meta ka reaguar për lirimin e tre policëve të Kosovës, që ishin rrëmbyer nga forcat serbe. Meta shkruan se lirimi hap rrugë rikthimit tek dialogu me normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lirimi i tre policëve të Kosovës, edhe pse i vonuar, është një veprim pozitiv, që i dha fund një akti tepër të rëndë provokativ. Rikthimi tek dialogu dhe finalizimi i marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA është rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve Kosovë- Serbi”, shkruan Meta.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, u rrëmbyen më 14 qershor nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, ndërsa sot Gjykata në Kralevë mori vendim për lirimin e tyre.