Aktualitet

“Lista e zezë”, Lame: Asnjë leje të re për ndërtuesit që nuk kanë legalizuar pallatet

Në mbarë vendin, 1.200 subjekte do të përfshihen në listën e zezë të ndërtuesve që pritet t’u ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit në të gjitha bashkitë. Në një konferencë shtypi, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame paralajmëroi aksion kundër atyre që kanë braktisur pallatet. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar ndërtuesit, të cilët operojnë pa leje: Ne do nisim t’u përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve duke u kërkuar që këto shoqëri e persona të mos pajisen më me leje të reja ndërtimi pa shlyer detyrimet e pa mbyllur procesin e legalizimit për objekte të ndërtuara prej tyre. 341 objekte ose persona, që po sot do i përcillen zyrtarisht bashkisë Tiranë dhe do ti kërkohet ajo që thashë. Asnjë leje ndërtimi e re për këto subjekte pa përmbyllur pallatet e ndërtuara prej tyre sot”, tha Lame.