Celebrities Sport

Liverpooli nderon përjetësisht Diogo Jotën! Çfarë kanë vendosur ata?

Klubi anglez Liverpool ka nderuar me një gjest prekës kujtimin e sulmuesit Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik më 3 korrik 2025, në moshën 28-vjeçare.

Ai u nda nga jeta së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva, duke tronditur botën e futbollit dhe veçanërisht tifozët e “The Reds”.

Në një homazh të veçantë të publikuar në faqen zyrtare të klubit, Liverpooli ka vendosur që ta përfshijë Jotën përgjithmonë në prezantimin e skuadrës, si një mënyrë për të mbajtur emrin dhe figurën e tij gjithmonë të gjallë në historinë e klubit.

Për më tepër, klubi ka tërhequr nga qarkullimi fanellën me numrin 20, në nder të sulmuesit portugez, duke e shpallur si numër që do t’i përkasë vetëm atij.

Diogo Jota do të përjetësohet përgjithmonë si numri 20 i Liverpoolit. Sulmuesi i dashur ndërroi jetë tragjikisht në moshën 28-vjeçare në një aksident me makinë, pesë vjet pasi kishte filluar një karrierë plot me momente të paharrueshme në klubin tonë

-shkruan klubi në përshkrimin zyrtar të lojtarit.

Liverpooli theksoi se vdekja e papritur dhe e dhimbshme e Jotës dhe vëllait të tij ka shkaktuar një valë dhimbjeje e solidariteti në të gjithë komunitetin e klubit, në Merseyside dhe përtej kufijve.

Siç theksohej shpesh në brohoritjet e tifozëve, emri i tij ishte Diogo dhe ai na udhëhoqi drejt fitores. Do të jetë përgjithmonë numri ynë 20

-thuhet në fund të mesazhit prekës të klubit.

Ky gjest i Liverpoolit është një dëshmi e dashurisë dhe respektit të thellë për një lojtar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit dhe në zemrat e tifozëve.