Lifestyle

Lojëra të shpejta truri mund të ulin rrezikun e demencës me 25% tek të moshuarit!

Një studim i gjatë 20-vjeçar ka zbuluar se një formë specifike trajnimi kognitiv mund të parandalojë ose vonojë demencën tek njerëzit mbi 65 vjeç me rreth 25%. Nuk ishin ushtrimet e zakonshme të kujtesës apo zgjidhjes së problemeve që dhanë rezultate, por një lojë kompjuterike interaktive që testonte aftësinë për të ndarë vëmendjen mes dy imazheve në një ritëm gjithnjë e më të shpejtë.

Në lojë, përdoruesit duhet të identifikojnë një makinë ose një traktor dhe një shenjë “Route 66” mes shenjave të tjera shpërqendruese. Trajnimi është adaptiv: sa më mirë që performohet, aq më shpejt zhduken imazhet. Ky lloj ushtrimi përdor “mësimin e pavetëdijshëm”, një mënyrë ku truri fiton aftësi pa e kuptuar plotësisht procesin.

Studimi ACTIVE, i filluar në 1998, përfshiu mbi 2,800 vullnetarë me moshë mesatare 74 vjeç, të cilët ishin të lirë nga demenca në fillim. Ata u ndanë në tre grupe: kujtesë, arsyetim dhe lojën e shpejtësisë me ndarje vëmendjeje. Vetëm grupi i fundit që ndoqi gjithashtu seancat “booster” pas vitit të parë tregoi një ulje prej 25% të diagnozave të demencës pas 20 vitesh krahasuar me grupin kontroll.

Ekspertët shpjegojnë se kjo lojë stimulon neuronet në mënyra të reja, rrit lidhshmërinë dhe plasticitetin e trurit dhe ruan neurotransmetuesin acetilkolinë, të rëndësishëm për fokusin dhe vëmendjen. Ndërkohë që studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë prova për të kuptuar mekanizmin e saktë, ky trajnimi shihet si një komponent i rëndësishëm për shëndetin e trurit tek të moshuarit, së bashku me stërvitjen fizike dhe aktivitetin social.