Të paktën 15,000 protestues kanë zbritur sot në sheshin Trafalgar Square e parkun Hyde Park në qendër të Londrës për të protestuar kundër masave anti-koronavirus të qeverisë. Disa pjesë të Anglisë, thuajse çereku i popullsisë së saj, u vendosën dje në izolim të kufizuar prej rritjes së numrit të infektimeve me Covid-19. Turmat u nxitën nga policia të zbatonin kufizimet e pandemisë dhe u paralajmëruan se dhuna nuk do të tolerohet.
Udhëheqësi i lëvizjes anti-kufizime Piers Corbyn, vëllai i ish-kreut laburist Jeremy Corbyn, ishte mes protestuesve ashtu si dhe figura të tjera të etiketuara nga qeveria si “konspiracionistë” si ish-sportisti e gazetari David Icke. Protesta e sotme vjen një javë pas asaj ku më shumë se dhjetë oficerë policie u plagosën në përleshje dhe më shumë se 30 protestues u arrestuan. Demonstruesit nuk mbanin maska dhe brohorisnin “Ne do të fitojmë” si dhe mbanin pankarta me slogane të ndryshme duke denoncuar masat e qeverisë.
Policia e kryeqytetit tha se ishte përpjekur të komunikonte me protestuesit gjatë javës për kujtuar detyrimet e tyre dhe rregullat e koronavirusit. Kreu i policisë Ade Adelekan, pranonte se ka “zhgënjim të madh” për kufizimet, por protestat vënë në rrezik shëndetin e pjesmarrësve dhe të kontakteve të tyre. “Ne nuk do të tolerojmë një përsëritje të ngjarjeve të javës që shkoi dhe oficerët do të përgjigjen shpejt ndaj skenave të dhunës”.