Donald Lu flet qartë, kërkon rezultate konkrete në luftën me krimin të organizuar. Ambasadori Amerikan tha se në 8 muaj janë bërë shumë në Shqipëri, por se mbetet të bëhet akoma më tepër. Lu përmendi arrestimet e trafikantëve të drogës, Met Kanani e Arbër Çekaj, ndjekjen penale të kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Mes arritjeve, diplomati i Uashingtonit veçoi dhe gjykimet ndaj Emiljano Shullazit e Lul Berishës, krahas hetimeve penale për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Por, Lu tha se Qeveria, Prokuroria e Policisë dështuan të arrestojnë Klement Balilin. Ambasadori Lu mori pjesë në analizën e Operacionit “Forca e Ligjit” dhe nga i njëjti aktivitet, Kryeministri Rama iu përgjigj shqetësimit të tij për Klement Balilin: “Unë e kuptoj shqetësimin e ambasadorit Lu për Balilin dhe pa diskutim që kapja e këtij personazhi është domosdoshmëri dhe do të jetë sukses i madh, por të mos harrojmë se vetëm pak vite më parë ishte drejtor transporti sot është në kërkim”-deklaroi Rama. Diplomati i Uashingtonit foli dhe për efektet e planeve të KPK-që brenda verës të përfundojë Vetting-u ndaj kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ambasadori Donald Lu e mbylli fjalën e tij me një paralajmërim për kokat e krimit: “ONM ka thënë se do përfundojë këtë verë kalimin në Vetting. Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen”