Bota

Lufta me Amerikën, ministri i Jashtëm iranian zhvillon bisedime në Oman!

Ministri i Jashtëm i Iranit zhvilloi bisedime me udhëheqësin e Omanit, një ditë pasi dy të dërguarit kryesorë të SHBA-ve u tërhoqën papritur nga bisedimet e planifikuara për t’i dhënë fund luftës në Iran e që zgjat prej dy muajsh.

Takimet e Abbas Araqchi-t janë pjesë e diplomacisë së “ndërmjetësuar” dhe negociatave të ndërlikuara që synojnë zgjidhjen e luftës në Iran, që ka bërë jehonë në mbarë botën, duke çuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburanteve.

Bisedimet, të planifikuara në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, shiheshin si mundësi për përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Në bisedime përfshihej Araqchi, si dhe dy të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë: Steve Witkoff e dhëndri i i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner. Por, udhëtimi i Kushner-it dhe Witkoff-it u anulua dje në çastin e fundit.

Nuk është plotësisht e qartë pse Trump e anuloi udhëtimin, por në një postim në rrjetet sociale, la të kuptohej se negociatorët iranianë kanë mosmarrëveshje me autoritetet në vend.

Shumë kohë e humbur në udhëtime, shumë punë! Për më tepër, ka përplasje dhe hutim të madh brenda udhëheqjes së tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë pezulluar bombardimet ndaj Iranit, në përputhje me armëpushimin e shpallur nga Trump, të cilin e zgjati më 21 prill për kohë të papërcaktuar.

Në një intervistë të shkurtër për Axios, Trump deklaroi se anulimi i udhëtimit të të dërguarve amerikanë nuk do të thotë automatikisht se operacionet e SHBA-ve do të rifillojnë.

Araqchi udhëtoi në Islamabad për atë që e quajti “vizitë në kohën e duhur” për takime me zyrtarë pakistanezë, që kanë luajtur rol kyç në përpjekjet për ta gjetur një zgjidhje mbi përfundimin e luftimeve.

Në bisedimet me shefin e ushtrisë pakistaneze, marshallin Asim Munir, Araqchi përcolli “pikëpamjet dhe konsideratat” e Iranit për përfundimin e luftës, si dhe rezervat e tij ndaj kërkesave të SHBA-ve, sipas Reuters-it, që citoi një burim anonim.

Sot, Araqchi u takua me sulltanin e Omanit, duke biseduar për gjendjen rajonale dhe përpjekjet për ndërmjetësim.

Mediat iraniane kanë raportuar se Araqchi mund të shkojë edhe në Moskë. Rusia mban lidhje të ngushta me Teheranin dhe i ka dhënë të dhëna të rëndësishme që kanë ndihmuar Iranin t’i godasë forcat amerikane në rajon, por kryesisht ka mbajtur një rol dytësor në bisedimet për paqe.

Rikthimin në tryezën e bisedimeve, Irani e ka kushtëzuar  me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Trump e ka hedhur poshtë deri tani.