Referuar shërbimeve të Inteligjencës, Shtëpia e Bardhë thotë se “zyrtarë rusë vizituan një bazë ajrore në Iran për të parë dronë pa pilot e të armatosur, që t’i blejnë për t’i përdorur në pushtimin e Ukrainës”. Kohët e fundit, presidenti Putin ka forcuar raportet me Teheranin dhe planifikon që javën e ardhshme të shkojë në Republikën Islamike për të takuar homologun iranian e të Turqisë. Përmes një deklarate, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se “administrata amerikane ka informacion se Qeveria iraniane po përgatitet që t’i ofrojë Rusisë disa qindra dronë pa pilot”. Ukraina përpiqet të ndalë dronët nga Rusia.
Administrata e presidentit, Joe Biden, njoftoi se më 8 qershor dhe 15 korrik, zyrtarët iranianë ua kanë prezantuar dronët atye rusë, në aeroportin Kashan, në Iranin qendror. Shtëpia e Bardhë publikoi imazhe satelitore që shfaqin dronët iranianë të llojeve Shahed-191 dhe Shahed-129 duke fluturuar e të ekspozuar në aeroport, teksa një avion transportues rus u pa në afërsi. “Kjo tregon interesim të vazhdueshëm rus për blerjen e dronëve iranianë, që janë të aftë për të sulmuar”, – u shpreh Sullivan.
Dronët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në konfliktin katërmujor në Ukrainë, luftë që ka lënë të vdekur qindra-mijëra persona dhe ka detyruar mbi 10 milion ukrainas të largohen, ndërsa luftimet në terren e bombardimet ruse po vazhdojnë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës furnizime me armë, në vlerë miliarda dollarë, në mënyrë që shteti të mbrohet nga pushtimi rus që nisi në shkurt. Më herët, Uashingtoni e akuzoi Teheranin se është i gatshëm ta furnizojë Rusinë me dronë.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, i tha homologut ukrainas, Dmytro Kuleba, se raportimet se dronët iranianë do t’i jepen Rusisë “janë të pabaza”. Këto raportime janë të motivuara politikisht dhe përkojnë me kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden, po zhvillon turneun e tij në Lindjen e Mesme. Ne kundërshtojmë çdo lëvizje që mund të çojë në vazhdimin dhe intensifikimin e konfliktit.
Presidenti Biden po qëndron në Lindjen e Mesme në përpjekje për të mbështetur përgjigjen rajonale kundër kërcënimit nga Irani dhe lufta e Putinit në Ukrainë. Përpjekjet e Bidenit dhe liderëve të tjerë botërorë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin janë bllokuar, duke u minuar pjesërisht nga insistimi i Moskës për kushte të reja, duke përkeqësuar raportet tashmë të tensionuara mes Teheranit e Uashigtonit.