Bota

Trump: Të shtënat në Uashington nuk më ndalojnë nga fitorja e luftës me Iranin!

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se të shtënat me armë në eventin ku merrte pjesë në Uashington, nuk do ta ndalojnë nga fitorja e luftës me Iranin, ndonëse shtoi se nuk beson se incidenti lidhet me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Nuk më ndalojnë nga fitorja e luftës me Iranin, tha Trump në një konferencë shtypi, rreth 40 minuta pas të shtënave me armë zjarri në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në një hotel në Uashington. Nuk e di nëse kishte ndonjë lidhje me këtë. Sinqerisht, nuk besoj, bazuar në atë që dimë.

Trump, Zonja e Parë Melania, zv.presidenti JD Vance dhe disa drejtues të kabinetit e të tjerë zyrtarë u evakuan me shpejtësi nga agjentët e shërbimit sekret, pasi u dëgjuan të shtëna pranë një pike kontrolli jashtë sallës ku Trump po përgatitej të mbante një fjalim.

Zyrtarët thanë se motivet e të dyshuarit nuk dihen ende. Në pranga ra një 31 vjeçar me profesion mësues dhe ndaj tij pritet të ngrihet aktakuzë nesër.

Ndërkohë, Trump anuloi një udhëtim të planifikuar për në Pakistan nga i dërguari special i SHBA-ve, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për bisedime me Iranin lidhur me arritjen e paqes.

Thjesht e anulova udhëtimin e përfaqësuesve që do të shkonin në Islamabad, të Pakistanit, për t’u takuar me iranianët. Shumë kohë e humbur nëpër udhëtime, shumë punë. Përveç kësaj, ka përçarje të mëdha dhe hutim brenda udhëheqjes së tyre.

Më pas, Trump u citua nga Axios të shprehej se anulimi i udhëtimit, nuk do të thotë automatikisht rifillim i luftës me Iranin.

Dje, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, zhvilloi atë që e quajti “turne në kohën e duhur” në kryeqytetin pakistanez, për të bashkërenduar “çështjet dypalëshe” me zyrtarët pakistanezë, para se të vazhdonte drejt Omanit e Rusisë.

Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që deri tani, Trump e ka hedhur poshtë.

Teherani nuk pranon zgjatjen e njëanshme të armëpushimit nga Trump, që e quan “të pakuptimtë” pasi bllokada vazhdon të mbetet në fuqi.

Që nga koha kur Amerika e Izraeli nisën bombardimet në Iran, më 28 shkurt, zyrtarët amerikanë dhe iranianë kanë mbajtur një raund bisedimesh për paqe, më 11-12 prill në Pakistan, por nuk arritën marrëveshje mbi përfundimin e luftës.