Bota

“Do takohem me Putinin në Moskë”/ Ministri i Jashtëm iranian: ‘Nuk ka vijë të kuqe’ që SHBA-të nuk e kanë kaluar!

Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se kanë shkatërruar në mënyrë të qëllimshme negociatat diplomatike lidhur me programin bërthamor iranian, përmes sulmeve të përsëritura ndaj objekteve iraniane.

Në një postim në rrjetin X, Araghchi deklaroi se Teherani ishte në proces negociatash me Uashingtonin, kur ndërhyri Izraeli duke “shpërbërë diplomacinë”. E njëjta situatë – sipas tij – u përsërit disa ditë më vonë, kur Irani po bisedonte me Bashkimin Evropian dhe vendet e grupit E3 (Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe).

“Çfarë përfundimi duhet të nxjerrim?”, pyeti Araghchi me ton kritik, duke kundërshtuar qëndrimet e Mbretërisë së Bashkuar dhe të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, të cilët i bëjnë thirrje Iranit që të kthehet në tryezën e negociatave.

“Por si mund të kthehet Irani në diçka që nuk e ka braktisur kurrë, e aq më pak ta ketë shkatërruar?”, përfundoi ai.

Abbas Araghchi tha gjithashtu në një konferencë për shtyp në Stamboll se nuk ka “asnjë vijë të kuqe” që SHBA-të nuk e kanë kaluar në veprimet e tyre të fundit kundër Republikës Islamike.

“Dhe e fundit dhe më e rrezikshmja ishte ajo që ndodhi vetëm mbrëmë kur ata kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar vetëm impiantet bërthamore”, tha ai.

Araghchi, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një media ruse, tha se do të udhëtojë për në Moskë më vonë të dielën për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin, pasi SHBA-të goditën lokacionet bërthamore iraniane.

“Ne gëzojmë një partneritet strategjik dhe gjithmonë konsultohemi me njëri-tjetrin dhe koordinojmë qëndrimet tona”, tha ai, duke iu referuar Rusisë.