Bota

Lufta në Ukrainë, Kievi sulmohet me dronë rusë për të dytën netë radhazi!

Për të dytën natë radhazi, Rusia kreu një tjetër sulm me dronë në kryeqytetin ukrainas Kiev, por njoftohet se mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi me sukses.

Pas një pushimi prej më shumë se një jave, armiku lëshoi dronë të prodhuar nga Irani mbi Kiev për të dytën ditë radhazi. Alarmi ajror zgjati mbi dy orë. Të gjithë dronët në hapësirën ajrore rreth Kievit u shkatërruan nga mbrojtja jonë ajrore. Nuk ka të lënduar apo dëme.

Koloneli ukrainas, Serhiy Cherevatiy raportoi se trupat ukrainase të përfshira në luftime pranë qytetit të Bahmutit në rajonin lindor të Donjeckut po bëjnë përparim me “ritëm të moderuar”.

Forcat ruse kanë krijuar rezistencë të ashpër, duke u përpjekur të pengojnë përparimin e trupave ukrainase. Në rajonet Liman e Kupiansk, ato po përpiqen të fitojnë epërsinë me sulme kundër njësive ukrainase.

Duhet pasur parasysh se forcat tona mbrojtëse po bëjnë punë heroike. Ndonjëherë humbasim me numrin e predhave ndaj na ndihmojnë vetëm stërvitja, motivimi e inteligjenca. Vazhdimisht po ecim përpara me një ritëm mjaft të moderuar, por me ruajtje të madhe të personelit, gjë që është më e vlefshme për ne.

Sipas raportimeve të Inteligjencës britanike dhe Institutit për Studimin e Luftës me bazë në SHBA, pas një periudhe relativisht të qetë në qershor, Bahmuti sërish është bërë një pikë qendrore e luftimeve intensive.

Forcat ukrainase kanë bërë përparim të vazhdueshëm në pjesët veriore e jugore të qytetit, që më parë ishte plotësisht i pushtuar nga forcat ruse.

Në një tjetër rajon të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Tarnavskiy, kreu i komandës jugore, raportoi se forcat ukrainase shkatërruan me sukses shtatë depo municionesh ruse brenda një dite të vetme. Sipas informacioneve të fundit nga Shtabi i Përgjithshëm, trupat ruse po përqendrojnë përpjekjet kryesore në Kupiansk, Liman, Bahmut, Avdivka e Marinka, ku vazhdojnë luftimet e ashpra.

Një ditë më parë, shpërthime u dëgjuan dy herë në qytetin e pushtuar të Berdianskut në rajonin e Zaporizhjas. Në qytetin e pushtuar nga Rusia, autoritetet pohuan se sistemi i tyre i mbrojtjes ajrore kapi me sukses një tentativë për sulm nga pala ukrainase, duke rrëzuar një numër të papërcaktuar raketash Storm Shadow.