Sport

Luis Hamilton nuk duket i qetë, po kthehet në “çështje” te Ferrari

Luis Hamilton nuk shfajësohet për paraqitjen në Arabinë Saudite, gara e pestë e zhvilluar me Ferrarin, ku piloti britanik përfundoi i shtati. Një fillim sezoni me rezultate shumë larg pritshmërive, të cilat janë gjithashtu inferiore edhe nga ato të shokut të skuadrës, Sharl Lëklerk.

Shtatë herë kampioni i botës është në vështirësi të mëdha në përshtatjen e tij me njëvendëshen SF-25.

LEXO EDHE: Formula 1/ Piastri dhe McLaren dominojnë në Bahrein, rikthehet në garë Ferrari

“Një moment kur jam ndjerë komod me makinën? Jo, nuk ka pasur për asnjë sekondë”, është shprehur Hamilton, një kritikë të cilën piloti duket se e ka më shumë me veten e tij sesa me skuadrën, siç e ka pranuar edhe vetë:

“Nuk mund të fajësoj makinën, sepse Lëklerk me të njëjtën u rendit i treti”, thotë Hamilton.

Duket sikur kanë kaluar muaj nga fitorja që Hamilton arriti në Sprintin e Kinës. Piloti 40- vjeçar, pas garës në Arabinë Saudite, qëndroi deri në orët e vona të mbrëmjes në bokse, duke tentuar që të gjejë zgjidhje me skuadrën dhe inxhinierët në një të diel tepër zhgënjyese. Tashmë duket se po shuhet edhe entuziazmi dhe shpresa e fillimsezonit, gjë që u dallua edhe nga fjalët e vetë pilotit, i cili u shfaq i shqetësuar:

“Nuk gjej dot shpjegim për paraqitjet e mia dhe për momentin nuk ka zgjidhje. Duket sikur do të jetë kështu edhe për pjesën tjetër të sezonit, do të jetë e vështirë”.

Me 19 gara ende për t’u zhvilluar, podiumi i parë i sezonit për Ferrarin erdhi pikërisht në Xhedah, kur për disa momente në garë makina SF-25 ishte më e shpejta në pistë. Një aspekt pozitiv që drejtori i skuadrës, Frederik Vasër, e vendos para anëve negative në Arabi.

Megjithatë, Luis Hamilton mbetet në hije:

“Në garë provova gjithçka, por nuk arrita ta bëja makinën më të shpejtë. Nuk kisha qëndrueshmërinë e duhur dhe rrëshqisja kudo. Në pjesën e parë kisha shumë nën drejtim dhe degradim të lartë të gomave. Ndërsa në gjysmën e dytë bilancimi ishte më i mirë, por sërish nuk kisha shpejtësi”, shpjegon anglezi.