Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po kryeson me 41.13% apo rreth 308 mijë vota të fituara në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Ky rezultat paraprak i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazohet në numërimin e 88.71% të votave. Në këtë numërim nuk përfshihen ato me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe nga jashtë vendit, që pritet të numërohen më vonë.
Partia e dytë është ajo Demokratike e Kosovës me 22.04% apo mbi 165 mijë vota, pasuar nga Lidhja Demokratike, me 17.67% ose më shumë se 132 mijë vota të fituara. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët fituan 7.64%, mbi 57 mijë vota. Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar mori 4.04%.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren para simpatizantëve të mbledhur në një shesh të Prishtinës, në orët e para të ditës së sotme.
Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që kemi nisur në 4-vjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera, në përputhje me zotimet tona, cep më cep Kosovës, u shpreh Kurti.
Pjesëmarrja në votime ishte 40.59% e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Për këto zgjedhje votoi diaspora, përmes postës, si edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 vendesh të Kuvendit, institucion që më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri.
Lista Serbe që ishte në garë me pesë parti të tjera nga radhët e komunitetit serb për 10 vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës për këtë komunitet, tha se i ka fituar të dhjeta. Por, njohësit e çështjeve politike deklaruan se ky rezultat paraprak krijon një situatë të paqartë lidhur me ndarjen e vendeve në Kuvendin e Kosovës dhe se kush do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.
Gjatë fushatës, LVV-ja përjashtoi mundësinë e formimit të koalicioneve paszgjedhore me partitë aktuale opozitare. LDK-ja dhe AKK-ja nga ana e tyre kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kurtit, ndërsa PDK-ja nuk ka paraqitur “vija të kuqe” për koalicionet e mundshme paszgjedhore.