Rutinat e natës janë shumë më tepër sesa përgatitje për gjumë, ato janë rituale vetëkujdesi që ndihmojnë trupin dhe mendjen të shkëputen nga energjia e ditës dhe të kalojnë në një gjendje qetësie. Ndërkohë që mëngjeset vendosin tonin e ditës, mbrëmjet e formësojnë mënyrën se si ndjehemi me veten dhe me realitetin tonë të brendshëm.
Rrallëherë ndalemi për të menduar se si i mbyllim ditët tona. Shpesh, përfundojmë duke rrëshqitur nëpër rrjetet sociale deri në orët e vona ose duke menduar për detyrat e mbetura pa zgjidhje. Por, duke vendosur një rutinë të qëndrueshme mbrëmjeje, ndihmojmë trupin të prodhojë melatoninën natyrale dhe trurin të qetësohet.
Një rutinë e mirë fillon me shkëputjen nga teknologjia të paktën 30 minuta para gjumit. Në vend të ekranit, mund të zgjidhni të lexoni një libër, të bëni disa ushtrime të lehta shtrirjeje ose të shkruani në ditar. Muzika ambientale, aromaterapia me lavandë dhe ndriçimi i ulët janë gjithashtu elementë që ndihmojnë në krijimin e një atmosfere relaksuese.

Një tjetër zakon i dobishëm është reflektimi i ditës. Çfarë ka shkuar mirë? Për çfarë je mirënjohës? Çfarë mund të përmirësohet nesër? Këto pyetje të thjeshta e ndihmojnë mendjen të përmbyllë ciklin e ditës me pozitivitet dhe drejtim.
Pastrimi i lëkurës dhe kujdesi personal bëhen më shumë se një hap higjienik,ato kthehen në një mënyrë për të treguar veten dashuri. Gjithashtu, përgatitja e një çaji bimor ose ujë me limon mund të jetë një moment i vogël kujdesi që sinjalizon fundin e ditës. Në një kohë ku shpejtësia dominon çdo aspekt të jetës, këto momente të vogla mbrëmjeje janë thelbësore për të rigjetur balancën. Një natë e mirë nuk është rastësi, është zgjedhje. Dhe rutina është harta që na çon drejt saj.