Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar sot pas vendimit të BE-së për të nisur hartimin e marrëveshjes së anëtarësimit për Malin e Zi, duke e cilësuar si një hap të madh përpara.
Në një reagim publik, ajo thekson se vendi tashmë po afrohet realisht me Bashkimin Evropian.
“Vendi i Malit të Zi brenda BE-së tani po merr formë. Sot, shtetet anëtare vendosën të nisin hartimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat,” u shpreh Kos në rrjetin X.
Ajo shtoi se ky proces është edhe një mundësi për Bashkimin Evropian që të reflektojë mbi zgjerimet e kaluara dhe të vendosë standarde më të forta për të ardhmen.
“Ky është gjithashtu një shans për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e mëparshme dhe për të përfshirë mekanizma më të rinj dhe më të fortë mbrojtës në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, për të parandaluar kthimin pas në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore,” theksoi ajo.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka përgëzuar Malin e Zi për hapin e fundit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në një reagim publik, Costa e cilësoi vendimin për krijimin e grupit të punës për marrëveshjen e anëtarësimit si një moment kyç për procesin e zgjerimit.
“Urime Malit të Zi sot kemi bërë një hap të madh drejt anëtarësimit tuaj në Bashkimin Evropian. Vendimi për të krijuar Grupin e Punës për hartimin e Marrëveshjes së re të Anëtarësimit është një moment kyç. Për herë të parë që nga viti 2014, BE nis matjen e kohës për zgjerimin e radhës,” është shprehur Costa.
Reagimi i tij vjen pas vendimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për të miratuar ngritjen e një grupi pune që do të përgatisë traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.
Ky hap shihet si një zhvillim i rëndësishëm që e afron edhe më shumë Podgoricën me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.