Aktualitet

Manastirliu: “Brenda vitit pritet të vijnë 500 mijë doza të tjera të vaksinave anti-COVID”

Qeveria shqiptare po negocion me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza të tjera vaksinash, që parashikohet të vijnë brenda vitit, për të vijuar me procesin e vaksinimi anti-COVID në vend. Lajmi u bë i ditur nga ministrja Ogerta Manastirliu, e cila inspektoi nga afër procesin e vaksinimit në Poliklinikën Qendrore. Ajo bëri apel për të rinjtë, studentët dhe çdo qytetar të vaksinohet sa më parë, për të mbrojtur shëndetin e tij dhe të tjerëve.

Qeveria ka marrë masat që të vijojë që të kemi furnizim në vazhdim me vaksina. Jemi duke negociuar gjithashtu me Pfizer për 500 mijë doza të tjera të vaksinave Pfizer, të cilat do të jenë pjesë e programit tonë të vaksinimit deri për muajin dhjetor. Këto vaksina parashikohet të vijnë brenda fundit të këtij viti.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se çdo i pavaksinuar përbën një kosto për jetën dhe shëndetin e vetes, por edhe të shoqërisë, ndaj procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm.

Çdo i pavaksinuar është një kosto, përbën një kosto jo vetëm për jetën dhe shëndetin e vetvetes, por gjithashtu edhe për familjarët, për shoqërinë. Është një kosto për sistemin shëndetësor. Duhet të kuptojmë që në Infektiv kemi 95% të rasteve, mes tyre janë edhe raste të rënda, që janë të pavaksinuar. Pikërisht fakti që janë të pavaksinuar dhe janë në një gjendje të rëndësuar shëndetësore është një arsye më shumë që të gjithë qytetarët të vaksinohen sa më shpejt, pa humbur kohë, për të mbrojtur jetën, shëndetin, për të ulur risqet dhe pasojat që sjell mungesa e vaksinimit.

Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur 1,899,172 vaksina. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,427,977 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Këtë muaj ka nisur muaji i vaksinimit masiv anti-COVID për moshat mbi 18-vjeç. Në vendin tonë është konfirmuar prania e variantit Delta i koronavirusit që krijon shqetësime për faktin se përhapet me shpejtësi të lartë. Autoritetet shëndetësore kanë intensifikuar apelet për t’u vaksinuar, sidomos drejtuar të rinjve.