Aktualitet

Nis muaji i vaksinimit masiv, deri më 31 gusht thirrje të rinjve +18!

Gushti sapo ka nisur e me të edhe muaji i vaksinimit masiv anti-COVID për moshat mbi 18-vjeç. Në vendin tonë është konfirmuar prania e variantit Delta i koronavirusit që krijon shqetësime për faktin se përhapet me shpejtësi të lartë. Autoritetet shëndetësore kanë intensifikuar apelet për t’u vaksinuar, sidomos drejtuar të rinjve.

Të pajisur me kartën e identitetit qytetarët mund të paraqiten në çdo pikë vaksinimi ose në qendrën e tyre shëndetësore për të kryer vaksinimin ndaj COVID-19/ës. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:

Nis sot muaji i hapur i vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç. Me kartën e identitetit, ju mund të paraqiteni në qendrën tuaj shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën anti-COVID. Qendrat e vaksinimit do të jenë të hapura nga ora 08:00-20:00, nga sot e deri më 31 gusht.

Prej janarit kur nisi procesi, deri tani janë kryer në total 1,198,933 doza në Shqipëri ku dje u raportua për 45 të infektuar por fatmirësisht nuk pati viktima. Aktualisht janë 402 persona aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin ndërsa në Spitalin Infektiv po trajtohen 21 pacientë.

Ndërkohë, në Gjermani po debatohet për ndalimin e testimit falas për personat e pavaksinuar. Ndonëse qeveria thekson se testet falas do të vazhdojnë, në kabinetin qeveritar ka shumë zëra kritikë që kërkojnë përcaktimin e një date për futjen e testimit me pagesë.

Sipas mediave, gjasat janë që kjo të ndodh në fund të shtatorit por padyshim që do të ketë përjashtime për ata që nuk mund të vaksinohen kundër COVID-it për arsye shëndetësore apo për fëmijët.

Po në Gjermani, sot hyn në fuqi detyrimi i testit për të kthyerit nga pushimet, masë që u mor për të penguar përhapjen e koronavirusit, në fund të pushimeve të verës. Para hyrjes në territorin gjerman, të gjithë personat nga mosha 12-vjeç duhet të paraqesin testin negativ, vërtetimin e vaksinimit apo shërimit nga COVID-i.

Deri tani, ky rregull vlente për pasagjerët e linjave ajrore por tani edhe për ata që udhëtojnë me makina, autobusa apo trena. Gjithashtu priten kontrolle masive.