Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po riorganizon Departamentin e Shtetit për të eliminuar disa agjenci që i konsideron të tepërta, si dhe disa programe që thotë se nuk janë në përputhje me interesat amerikane, njoftoi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
“Kjo qasje do të forcojë ministrinë nga themelet, nga departamentet tek ambasadat. Shërbimet që kanë të bëjnë me fusha të veçanta do të shkrihen për të rritur funksionalitetin, shërbimet e tepërta do të eliminohen dhe programet e paligjshme që nuk janë në përputhje me interesat themelore kombëtare të Amerikës do të pushojnë së ekzistuari,” tha Rubio në deklaratën e tij.
Riorganizimi është pjesë e axhendës së Presidentit Trump “America First (Amerika e para)”, shtoi më tej ai.
LEXO EDHE: SHBA njofton sanksione të reja kundër Iranit, mes të negociatave mbi programin bërthamor!
Puna e Nënsekretarit të Shtetit për Sigurinë Politike, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë do t’i besohet një Koordinator i ri për Ndihmën e Jashtme dhe Çështjet Humanitare, qartësoi Rubio.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do t’i bashkohet departamentit. Rubio, i cili aktualisht shërben edhe si administrator i Organizatës së shpërbërë thelbësisht, kritikoi rritjen e tepërt të saj në vitet e fundit, duke e përshkruar atë si “burokratike dhe të paaftë për të kryer misionin e saj bazë, atë diplomatik, në këtë epokë të re të konkurrencës së madhe”.
Sipas të njëjtit zyrtar, në bazë të planit, shumë funksione të USAID-it do t’u caktohen departamenteve rajonale të ministrisë.
Plani i riorganizimit aktualisht ka të bëjë vetëm me selinë e ministrisë në Uashington. Megjithatë, më vonë mund të ketë ndryshime në misionet diplomatike jashtë vendit.
Zëvendësministrat kanë 30 ditë për të vlerësuar se si riorganizimi mund të çojë në shkurtime të vendeve të punës. Departamenti i Shtetit ka informuar tashmë Kongresin për riorganizimin e tij, theksoi Rubio.
Njoftimi i Rubios nuk përmend nëse konsullatat amerikane jashtë vendit do të mbyllen.