Showbiz

Marilyn Monroe dhe misteri që rrethon ditët e fundit të jetës së saj!

Marilyn Monroe, një nga ikonat më të mëdha të Hollivudit, vdiq në mënyrë tragjike më 5 gusht 1962 – por ditët që paraprinë fundin e saj mbeten të mbushura me tension, dyshime dhe mister.

Sipas miqve të saj më të afërt, aktorja 36-vjeçare ishte emocionalisht e trazuar dhe e zemëruar ndaj vëllezërve Kennedy, të cilët ajo i akuzonte se e kishin përdorur dhe më pas e kishin braktisur.

E izoluar dhe gjithnjë e më shumë e varur nga ilaçet për gjumë, Monroe po përjetonte një periudhë të errët.

Gjatë një fundjave të organizuar nga Frank Sinatra në Lake Tahoe, ajo u shfaq në gjendje të rënduar – e dehur, e shqetësuar dhe e paaftë për t’u çlodhur.

Pas kthimit në Los Angeles, Monroe bëri disa përpjekje për të kontaktuar Bobby Kennedy, duke pretenduar se kishte informacione “që do të trondisnin botën”.

Tensionet mes saj dhe Bobby Kennedy janë përmendur në një bisedë të përgjuar në shtëpinë e saj, ku flitet për një debat të ashpër mbi një fletore të kuqe, në të cilën Monroe mbante shënime mbi çështje të ndjeshme politike.

Natën e fundit të jetës, Monroe ishte e vetme në shtëpi, nën efektin e barnave, dhe kishte kryer disa telefonata gjatë mbrëmjes. Rreth orës 3 të mëngjesit, shërbyesja Eunice Murray ndjeu shqetësim dhe tentoi të hynte në dhomën e saj, por dera ishte mbyllur.

Me ndihmën e psikiatrit Dr. Ralph Greenson, ata thyen dritaren dhe e gjetën aktoren të shtrirë lakuriq në shtrat, me telefonin në dorë dhe pa shenja jete.

Shishet e ilaçeve ishin të hapura – njëra prej tyre, me 50 kapsula Nembutal, ishte bosh.

Mjekët e saj, Dr. Greenson dhe Dr. Engelberg, mbërritën menjëherë dhe konstatuan vdekjen.

Policia u njoftua vetëm rreth orës 4:15, duke ngritur dyshime për vonesën dhe rrethanat e paqarta të ngjarjes.

Zyrtarisht u shpall vetëvrasje për shkak të mbidozës, por sjellja e pazakontë e të pranishmëve dhe lidhjet e Monroe me figura të fuqishme politike dhe botën mafioze e kanë mbajtur këtë rast në qendër të spekulimeve për dekada.

Vdekja e Marilyn Monroe nuk është thjesht një tragjedi hollywoodiane – ajo mbetet një nga misteret më të mëdha të Amerikës moderne.