Kabineti i sigurisë i Izraelit sot mblidhet për të vendosur mbi një marrëveshje armëpushimi me Libanin pas më shumë se një viti luftimesh mes forcave izraelite e milicisë shiite Hezbollah. Sipas akordit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thuhet se do të tërhiqen tërësisht nga Libani jugor.
Po referuar marrëveshjes, Hezbollahu do të tërheqë armët e rënda në veri të lumit Litani, rreth 25 km në veri të kufirit izraelit dhe ushtria libaneze do të lëvizë për të ofruar siguri në zonën kufitare. Por jo vetëm. Në mbështetje të saj pritet një forcë paqeruajtëse ekzistuese e OKB-së, gjatë një faze fillestare 60 ditore të tranzicionit.
Një ditë më parë, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë deklaroi se marrëveshja që administrata Biden u përpoq që të ndërmjetësonte për muaj të tërë, nuk është finalizuar ende. Ai vuri në se dukje se ka shumë shpresa mbi arritjen e një armëpushimi.
Ende ka një proces, gjëra që unë mendoj se ata janë duke punuar. Ne besojmë se trajektorja e kësaj po shkon në një drejtim shumë pozitiv. Por asgjë nuk bëhet derisa të realizohet gjithçka. Asgjë nuk është negociuar derisa gjithçka të negociohet.
Sipas planit të propozuar të armëpushimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet që të drejtojnë një komitet ndërkombëtar monitorimi prej pesë vendesh, i cili do të vepronte si arbitër për shkeljet dhe raportohet se Amerika ka ofruar mbështetje të garantuar për operacionet ushtarake izraelite mbi kufi, në rast se Hezbollahu kryen një sulm ose rikonstituon forcat e saj në jug të Litanit.
Konflikti filloi më 8 tetor të vitit të kaluar kur Hezbollahu hodhi predha dhe raketa në qytetet kufitare izraelite në solidaritet me Hamasin dhe luftimet janë intensifikuar ndjeshëm që nga fundi i shtatorit kur Izraeli filloi një pushtim tokësor mes bombardimeve të intensifikuara në të gjithë Libanin. Raportohet se deri tani janë vrarë rreth 3 mijë e 500 libanezë, si dhe një pjesë e madhe e zyrtarëve më të lartë të Hezbollahut.