Bota

Brenda ditësh mund të arrihet akordi Izrael-Hezbollah!

Ambasadori izraelit në Uashington tha se një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit, mund të arrihet “brenda ditësh”. Mike Herzog sot foli për radion e ushtrisë izraelite e vuri në dukje se ka “pika që duhen finalizuar”.

Ne jemi afër një marrëveshjeje dhe ajo mund të arrihet brenda ditësh.

Në mesin e çështjeve që mbeten të pazgjidhura është edhe një kërkesë e Izraelit që thotë se “shteti rezervon të drejtën të veprojë nëse Hezbollahu shkel detyrimet nga akordi i ri”.

Marrëveshja synon të largojë Hezbollahun dhe trupat izraelite nga jugu i Libanit.

Hezbollahu është shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Bashkimi Europian e ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur të grupit proiranian, por jo edhe partinë e tij politike. Ndërkaq, Hezbollahu nuk i është përmbajtur një rezolute të Kombeve të Bashkuara që i dha fund luftës së vitit 2006. Në këtë dokument, palët patën bërë kërkesa të ngjashme.

Po ashtu, Libani ka akuzuar Izraelin se ka shkelur këtë rezolutë. Ende nuk është e qartë nëse Libani do të pranojë kërkesën e Izraelit. Optimizmi rreth arritjes së një akordi vjen pasi i dërguari i Shteteve të Bashkuara mbajti bisedime me palët javën e kaluar, me synim që të arrihet një marrëveshje.

Para dy javësh, Amos Hochstein shkoi në Bejrut për bisedime me zyrtarë libanezë rreth një armëpushimi mes Hezbollahut dhe Izraelit. Grupi militant pro-iranian pranoi propozimin e Uashingtonit për armëpushim. Vizita tregoi se ka përparim në përpjekjet diplomatike, të udhëhequra nga Amerika, për t’i dhënë fund konfliktit.

Si qeveria libaneze, ashtu edhe Hezbollahu, ranë dakord me propozimin e SHBA-ve për armëpushim. Dokumenti iu dorëzua me shkrim dhe ata dhanë mendimet mbi përmbajtjen e tij, siç deklaroi për Reuters-in, Ali Hassan Khalil, këshilltar i kryetarit të Parlamentit të Libanit, Nabih Berri.

Banka Botërore raportoi se lufta aktuale mes Izraelit dhe Hezbollahut i ka shkaktuar Libanit dëme dhe humbje në vlerën e 8.5 miliardë dollarëve. Sipas institucionit financiar, shifrat përfundimtare do të jenë shumë më të larta pasi lufta është duke vazhduar.