Një operacion i madh i RENEA-s ka nisur prej orës 05:00 të mëngjesit në Dobraç të Shkodrës për masakrën me 4 viktima, në fund të tetorit të kaluar. Raportohen kontrolle të shumta, por ende nuk dihet për të arrestuar. Pasditen e 30 tetorit 2024, në zonën e Dobraçit, persona ende të paidentifikuar qëlluan nga një makinë drejt automjetit tip Benz S-Class, ku po udhëtonte Hamza Lici e Arlind Bushati, si dhe një person i tretë.
Nga të shtënat, mjeti që drejtohej nga 23 vjeçari Lici humbi kontrollin dhe përplasi motorin ku udhëtonin dy qytetarë të pafajshëm, çifti Flutura dhe Bashkim Basha, gjithashtu viktima. Arlind Bushati humbi jetën disa orë më vonë, në spital.
Në makinë me Licin dhe Arlind Bushatin udhëtonte një person i tretë, që dyshohet se është Ibrahim Lici. Ky i fundit doli nga makina, i dha ndihmën e parë viktimave dhe u largua nga vendi i ngjarjes kur shkoi autoambulanca.
Hetimet për masakrën në Dobraç kaluan në duart e SPAK-ut pasi Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencë. Pas ngjarjes u gjet një makinë e djegur në zonën Grudë e Re, me dy automatikë brenda e që mendohet të jenë përdorur në atentat.