Katër persona mes 49 emigrantëve që mbërritën këtë paradite nga Italia në Shëngjin, do të kthehen sërish në vendin fqinj.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, do të kthehen në Itali tre të mitur dhe një 49-vjeçar me probleme shëndetësore.
Ata mbërritën në Portin e Shëngjinit me anijen “Cassiopea”. Ky ishte kontingjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërritën në Shqipëri.
Të shoqëruar nga karabinierët italianë dhe në grupe të vogla, emigrantët ecën në këmbë me qeset e rrobave në duar derisa mbërritën në kalatën e portit. Anija e marinës italiane mbërriti në port rreth orës 07.30 ndërsa zbarkimi zgjati plot tre orë, deri në 10:30.
Emigrantët, shumica nga Bangladeshi të tjerë nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare të parashikuara për ata që vijnë nga vende të sigurta dhe që nuk kanë dorëzuar dokumentet e identitetit. Ndalesa e parë e tyre është qendra pritëse brenda portit ku kryhet kontrolli shëndetësor nga ku ka rezultuar që 4 prej tyre duhet të kthehen në Itali brenda mbrëmjes së sotme.
LEXO EDHE: Italia rinis transferimin e emigrantëve në Shëngjin!
Në kampin e Gjadrit emigrantët pritet të kalojnë disa javë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil nga zyra emigracionit në Itali.
Kjo është e njëjta procedurë sic ka ndodhur në tetorin dhe nëntorin e vitit të kaluar. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftarake “Libra” solli në Shqipëri dy grupe me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Riaktivizimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri vjen pas një pauze rreth dy muajsh. Në dy rastet e mëparshme emigrantët u kthyen mbrapsht për shkak të vendimeve të Gjykatës në Romë. Sipas vendimit të fundivitit të shkuar të gjykatës së kasacionit në Itali, lista e vendeve të sigurta është një kompetencë e qeverisë, çka i jep liri momentalisht ekzekutivit italian të veprojë sipas planeve të tij. Në lidhje me çështjen e emigrantëve, pritet të jepet një vendim edhe nga gjykata europiane e drejtësisë në 25 shkurt.