Ndërsa numri i banorëve në Shqipëri ka zbritur në 2.36 milion, në kontrast numri i mjeteve sa vjen e po shtohet. Censi i vitit 2023 reduktoi me të paktën 400 mijë numrin e banorëve në vend, çka bëri që treguesit për frymë të kërcejnë për shkak të reduktimit të popullsisë.
Kjo bëri që dhe raporti i numrit të automjeteve të pasagjerëve në raport me popullsinë të kërcejë në 328 mjete për 1000 banorë në vitin 2024, nga 232 që ishte ky tregues më 2022-shin, para Censit. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat-i, ku raportohen të gjitha shtetet e Europës.
Pavarësisht rritjes, që në pjesën më të madhe i dedikohet rregullimit statistikor të popullsisë, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me numrit më të ulët të autoveturave në raport me popullsinë. Sipas të dhënave të Eurostat-it, mesatarja e Bashkimit Eurpian në vitin 2024 ishte 578 mjete pasagjerësh për 1000 banorë apo 75% më e lartë se në Shqipëri.
Ky tregues është në kontrast me trafikun e lartë me të cilin përballen shumë zotërues automjetesh si në rrugët ndërqytetetase, ashtu dhe brenda tyre, sidomos në Tiranë e Durrës. Krahas trafikut, edhe ndotja që shkaktojnë është shumë e lartë, për shkak se pjesa më e madhe e tyre është më naftë. Shumë shpesh, tymi i zi që lëshojnë makinat në mes të qytetit, të depërton direkt në mushkëri.
Në rajon, Shqipëria, që dikur ishte e parafundit (Turqia e fundit) ka lënë pas dhe Bosnjë Hercegovinën (321), Maqedoninë e Veriut (318) dhe Kosovën (232). Në rajon na e kalojnë Mali i Zi (417) dhe Serbia (377).
Edhe nëse bëhen llogaritjet me 2025-ën, duke u bazuar në numrin e autoveturave në fund të vitit, që sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, ishte 847 mijë autovetura, treguesi rritet në 358 mjete/1000 banorë, duke mbetur sërish më ulët se Serbia.
Europa
Sipas publikimit të Eurostat-it për transportin në Europë, norma e motorizimit për automjetet e pasagjerëve në rrugë është numri i makinave të pasagjerëve në raport me madhësinë e popullsisë. Në BE, ky tregues ishte mesatarisht 578 makina pasagjerësh për 1 000 banorë në vitin 2024.
Normat më të larta të motorizimit u regjistruan në Itali (701 për 1 000 banorë), Luksemburg (670 për 1 000 banorë), Finlandë (666 për 1 000 banorë) dhe Qipro (661 për 1 000 banorë). Normat më të ulëta u regjistruan në Letoni (424 për 1 000 banorë), Rumani (444 për 1 000 banorë) dhe Hungari (447 për 1 000 banorë).
Në Shqipëri, regjistrimet e reja janë akoma me naftë, Europa drejt benzinës e mjeteve elektrike
Të dhënat e Eurostat-it, në publikimin e fundit për Transportin në Bashkimin Europian tregojnë se 66.2% e mjeteve të pasagjerëve që u regjistruan për herë të parë më 2024-ën në vend ishin me naftë, një peshë shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej rreth 15%.
Në total, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë 85.7 mijë mjete të pasagjerëve në vitin 2024, nga të cilat 56.7 mijë ishin me naftë. Me benzinë ishin 17.6%, me peshën që është ndër më të ulëtat në Europë dhe me energji alternative 12.9%. Makinat elektrike përbënin vetëm 3.3% të totalit.
Tendenca është krejt e ndryshme nga çfarë po ndodh në Europë. Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në Europë po përshpejtohet tranzicioni drejt automjeteve elektrike dhe alternativave më pak ndotëse./Monitor