Lulet janë një mënyrë e mrekullueshme për të shprehur ndjenjat ndaj dikujt. Trëndafilat e kuq thonë “Të dua”, por një kopsht i tërë me lule qershie rozë e thërret me zë më të lartë. Toshiyuki Kuroki, bashkëshorti i Yasuko Kuroki këtë gjest romantik e çoi në një nivel krejt tjetër. Çifti u martuan në vitin 1956 dhe sipas The Telegraph ata punuan në fermën e qumështit në Shintomi dhe sollën në jetë dy fëmijë. Pas 30 vitesh martesë, kishin planifikuar të dilnin në pension dhe të udhëtonin së bashku nëpër Japoni, por këto plane u shuan papritur.
Kur ishte 52 vjeç, Znj. Kuroki humbi shikimin si pasojë e komplikimeve nga diabeti. Humbja e shikimit e preku rëndë dhe ajo filloi të izolohej, duke qëndruar gjithë ditën brenda. Z. Kuroki e kuptoi se gruaja e tij ishte në depresion dhe donte të bënte diçka për ta gëzuar. Ai vuri re se njerëzit ndalonin për të admiruar kopshtin e vogël me lule rozë shibazakura dhe i lindi një ide. Nëse nuk mund ta çonte gruan e tij për të parë botën, atëherë do ta sillte botën tek ajo.

Z. Kuroki vendosi të mbjellë më shumë nga këto lule në kopshtin e tij, me shpresën se do të tërhiqnin më shumë vizitorë dhe do t’i sillnin gëzim gruas së tij. Ai e dinte që ajo nuk do të mund t’i shihte, por do t’i ndjente aromën dhe aroma e këndshme mund të sillte pak dritë në errësirën e saj. Për dy vite me radhë, ai mbolli mijëra lule, thjesht për t’i sjellë një buzëqeshje në fytyrë gruas së tij.

Plani funksionoi. Kopshti magjepsës nisi të tërhiqte gjithnjë e më shumë vizitorë. Dhjetë vjet pas mbjelljes së parë, kjo histori dashurie kaq e veçantë ka shndërruar fermën e dikurshme të qumështit në një atraksion turistik të rëndësishëm në zonën rurale të Japonisë.
Kopshti pret deri në 7,000 vizitorë në ditë kur lulet çelin në mars dhe prill. Stallat ku dikur mbaheshin 60 lopë, tani janë kthyer në një ekspozitë që tregon historinë e dashurisë së çiftit. Por më e rëndësishmja, Znj. Kuroki e dashuronte vizitën e njerëzve dhe shpesh mund të shihej duke ecur nëpër kopsht, e buzëqeshur. Historia e tyre është dëshmi që dashuria e vërtetë nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por për gjeste që flasin me zemër.




