Jasveen Sangha, e cilësuar në media si “Mbretëresha e Ketaminës”, është dënuar me 15 vite burg pasi u shpall fajtore për shpërndarjen e drogës që lidhet me vdekjen e aktorit Matthew Perry.
42-vjeçarja pranoi në shtator të vitit të kaluar pesë akuza, mes tyre edhe shpërndarjen e ketaminës që çon në pasoja fatale. Sipas prokurorëve, banesa e saj funksiononte si një bazë shpërndarjeje droge, nga ku ajo siguronte të ardhura për një stil jetese luksoz.
Aktori i njohur për rolin në Friends u gjet pa jetë në tetor 2023, në shtëpinë e tij në Los Angeles. Ekspertiza mjeko-ligjore arriti në përfundimin se shkaku ishte efekti akut i ketaminës, një substancë që përdoret në mjekësi vetëm nën kontroll të rreptë.
Para shpalljes së vendimit, njerka e aktorit, Debbie Perry, i kërkoi gjykatës dënimin maksimal, duke theksuar se dëmi i shkaktuar ishte i pariparueshëm dhe se të tjerë nuk duhet të përballen me të njëjtën tragjedi.
Gjatë kontrollit në banesën e Sangha-s, autoritetet zbuluan sasi të konsiderueshme droge, përfshirë dhjetëra shishe ketamine dhe mijëra pilula me përmbajtje substancash të ndryshme narkotike. Sipas hetuesve, ajo kishte vite që operonte nga zona e Hollywood-it Verior.
Edhe pse fillimisht mohoi gjithçka, më pas ajo ndryshoi qëndrim dhe pranoi fajësinë. Në marrëveshjen me drejtësinë, Sangha pranoi gjithashtu se në vitin 2019 kishte shitur ketaminë një personi tjetër që humbi jetën pak orë më pas nga mbidoza.
Ajo rrezikonte deri në 65 vite burg, por përfundimisht u dënua me 15 dhe ndodhej në paraburgim që prej gushtit 2024. Avokatët e saj kishin kërkuar një dënim më të lehtë, duke argumentuar se kishte bashkëpunuar dhe nuk kishte precedentë penalë.
Hetimet zbuluan se Sangha ishte një nga disa persona që furnizonin aktorin me drogë, duke përfituar nga varësia e tij. Në këtë çështje janë përfshirë edhe individë të tjerë, përfshirë mjekë dhe persona të afërt, të cilët gjithashtu kanë pranuar fajësinë.