Kombëtarja shqiptare është në prag të ndeshjes me Serbinë. Ky takim do të vlejë për kualifikueset e Botërorit 2026 dhe do të luhet më 7 qershor, ora 20:45.
Burim Kukeli, që tashmë është trajner i Zyrih U-21, është një nga protagonistët e ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd. Ish-mesfushori është kthyer të komentojë ndeshjen e luajtur më shumë se 10 vite më parë, ndërsa ka dhënë një mesazh për tifozët kuqezi. Fjalën e tij e mbyll duke thënë se ka ëndërr të jetë trajner i Shqipërisë ose Kosovës.
“Kemi pasur një grup të vështirë në kualifikimet dhe askush nuk ka besuar se do të kualifikohemi, por e nisëm mirë, me fitore ndaj Portugalisë. Filloi mbarë dhe pastaj në lojën në Beograd kundër Serbisë të gjithë e kanë parë padrejtësinë që na u bë. Minimumi ishte shpërblimi me tri pikë në tavolinë.
E kemi ditur se nuk do të pritemi mirë, por nuk e kemi pritur atë urrejtje kaq të madhe. Njerëzit janë të çuditshëm. Nuk mund të mendosh si janë ashtu. Pamjet kanë treguar gjithçka dhe loja në ato kushte nuk ka mundur të vazhdojë. Jemi ofenduar e jemi rrahur. Dhe, pasi na kanë rrahur dëshironin sërish të futemi në fushë. Ka qenë e pamundur vazhdimi i ndeshjes.
Situata nuk ka qenë aspak e sigurt. Në momente të caktuara ka edhe frikë. Por njeriu në shumë raste edhe i përballon, pasi nuk kishte rrugëdalje tjetër. Jemi mundur ta tregojmë më të mirën tonë, pasi kemi pasur faza të mira në fushë dhe nëse do të luhej 90 minuta, gjasat për të fituar kanë qenë të mëdha. Nuk ishte sjellja e duhur, edhe organizimi nuk ishte siç duhet.
Në Elbasan kemi treguar kulturë dhe respekt ndaj njerëzimit. Jemi sjellë mirë, jo si ata me ne. Kemi marrë mirënjohje nga shtetet e tjera. Kemi bërë më të mirën tonë dhe tash shpresoj se do të organizohet mirë edhe në Tiranë. Në fund të fundit është sport dhe të sillemi në atë frymë dhe në fund uroj që Shqipëria të fitoj ndeshjen.
Tifozët të mos sjellin urrejtje. Të përkrahin lojtarët e Shqipërisë. Duhet të japim energji pozitive, jo urrejtje.
Për momentin jam duke lëvizur hap pas hapi. Niveli U21 është shumë i mirë këtu në Zvicër. Dua të marr mësime dhe idetë e mia t’i shpalosi. Por dëshira është që një ditë të punoj edhe në Superligën e Zvicrës. Pastaj Kosova dhe Shqipëria nuk diskutohet. Është ëndërr për mua të jem trajner i Shqipërisë ose Kosovës”, u shpreh Kukeli për “Kohën”.