Aktualitet Politikë

Mbyllet zyrtarisht votimi për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit/ Pjesëmarrje e ulët votuesish në të gjashta bashkitë

Ka përfunduar zyrtarisht në orën 19:00 procesi i votimit në 6 bashkitë e vendit, ku rezulton se pjesëmarrja ka qenë relativisht e ulët. Sipas  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në total deri në orën 18:00 kanë votuar 29.33%.

Sipas këtyre të dhënave, Dibra kryeson me pjesëmarrjen më të lartë, e cila shkon në 42.37%. Më pas Vora me 39.13%, pasohet nga Lushnja me 35.01%. Më pas në Rrogozhinë kanë votuar 29.73%, Shkodra 27.01 dhe Durrësi me pjesëmarrjen më të ulët 25.26%.

Qytetarët me të drejtë vote iu përgjigjen thirrjes për të marrë pjesë në votime mes kandidatëve të PS-së, PD-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, por në qendrat e votimit pati një numër të ulët pjesëmarrësish.

Procesi u shty në disa qendra votimi të Vorës, pasi në radhë ka pasur disa qytetarë që duan të votojnë.

Në të gjashta bashkitë, shifrat e pjesëmarrësve janë më të ulëta krahasuar me ato të një viti më parë, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Votimi u zhvillua normalisht, me përjashtim të disa qendrave, kryesisht në Shkodër, ku nuk u bë i mundur votimi për shkak të motit të keq me dëborë. Procesi i votimit në zgjedhjet e 6 marsit u shoqërua nga një klimë e qetë politike, ndërsa nuk munguan thirrjet ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime.

Në këto zgjedhje garuan kandidatë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, me përjashtim të Dibrës, ku krahas kandidatëve të tre subjekteve të mësipërme kandidoi edhe një kandidat nga një forcë e katërt politike. Drejtuesit e rinj vendor në këto bashki do të kenë një mandat të shkurtër 1-vjeçar.