Aktualitet Politikë

“Zien” PD, Berisha i kundërpërgjigjet Bashës, deklaratë për shtyp në 19:00!

Zhvillime dinamike në Partinë Demokratike. Berisha i kundërpërgjigjet Bashës me një konferencë shtypi në orën 19:00 për të komentuar vendimin e Kryetarit të PD-së që shpalli vendimin për të mbledhur Kuvendin Kombëtar më 18 Dhjetor.

Ndërkohë Berisha pretendon të mbledhë përmes firmave të anëtarësisë më 11 dhjetor Kuvendin e Jashtëzakonshëm për ndryshimet statutore në PD.

Më herët Basha tha se Berisha “mund t’i shpallë edhe luftë SHBA nëse dëshiron”, por brenda partisë sipas tij nuk do të lejohet që të ketë struktura paralele.

“PD nuk mund te funksionoje me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnjë”, është shprehur Basha gjatë mbledhjes së Kryesisë.

Sipas tij, Berisha po del kundër SHBA dhe në këtë situatë me ish-kryeministrin pjesë të strukturës së partisë nuk mund të ketë bashkëpunim. Ndër të tjera, Basha ka paralajmëruar se do të ketë persona të tjerë brenda PD që do të shpallen ‘non grata’.

“Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen ‘non grata’, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre”, është shprehur kreu i PD.

Basha është zotuar se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit të PD më 11 dhjetor duke thënë se “ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij”!