Rajoni

Mbytet peshkarexha me emigrantë pranë brigjeve greke, 59 viktima!

Tragjedi pranë brigjeve greke, 59 viktima nga mbytja e një peshkarexhe në Kallamata të Greqisë, në ujërat e detit Mesdhe. Të gjithë ata që humbën jetën janë emigrantë.  Fillimisht u raportua për 17 të vdekur, ndërsa deri tani janë shpëtuar 104 refugjatë.

Sipas Rojës Bregdetare Greke, peshkarexha e nisur nga Libia me destinacion Italinë u batua dhe në vazhdim u fundos në ujërat ndërkombëtare që ndajnë Greqinë me Italinë, 47 milje në jug të gadishullit të Peleponezit në zonën më jugore të tij, Pilos.

Peshkarexha ishte në kërkim që prej të paktën tre ditësh nga Italia, por edhe nga një shoqatë e emigrantëve.

Sinjali SOS u dha në numrin 112 dhe ishte pala italiane që njoftoi atë greke për avarinë e peshkarexhës. Meqë ishin ujëra ndërkombëtare, grekët paralajmëruan anijet që kalonin në zonë të bënin kujdes e dërguan një motovedetë, si dhe helikopterë shpëtimi. Herët në mëngjes peshkarexha u mbyt.

Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të tjerëve ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në peshkarexhën e mbytur. Në zonë shkuan të tjera anije ndihmëse, si dhe një fregatë e marinës greke.

Mësohet se fillimisht kapiteni i peshkarexhës kishte refuzuar të kërkonte ndihmë prej rojës bregdetare greke. Të shpëtuarit po dërgohen në portin e Kallamatës në Greqi ku iu ofrohet ndihma e parë, ndërsa autoritetet e mobilizuara tashmë vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.