Pas suksesit të sezonit të parë, “Flet” me Ilnisa Agollin u rikthye mbrëmë në ekranin e Top Channel. “Flet” është një podkast pa filtra, i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë. Me rrëfime të sinqerta nga të ftuarit, pa doreza dhe me deklarata të fuqishme dhe të pathëna më parë.
I ftuari i parë i këtij sezoni të dytë ishte ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili bëri një rrëfim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë. Në momentin kur moderatorja e pyeti në lidhje me bashkëshorten e tij, Liri Berisha, kryetari i Partisë Demokratike tregoi anën e tij romantike.
Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
Ajo ka qenë studente në Fakultet të Mjekësisë dhe unë pedagog. Nuk i kam dhënë direkt mësim grupit të saj. Unë jepja mësim në vit të tretë. Në vit të katërt jam njohur me të, jemi afruar, jemi dashuruar. Mbaroi studimet dhe u martuam.
Çfarë përfaqëson ajo tek ju doktor?
Tani, se çfarë përfaqëson ajo është e thjeshtë të thuhet gjysma, por shumë më tepër. Sepse, në profesion ishte një mbështetje e madhe për mua, por dhe unë për atë. Edhe unë e kam mbështetur atë. Në kuptimin, e kam ndikuar që të zgjedhë pediatrinë. Po, ja sugjerova! Ajo u apasionua shumë pas pediatrisë. Por, përveç profesionit mund të them që e gjithë aq sa është përcaktues mjedisi familjar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo është violina e parë. E ka luajtur atë rol në mënyrën më të fuqishme, më të përsosur.
Çfarë është ajo që gjë ia thoni shpesh bashkëshortes suaj dhe cila është ajo gjë që nuk ia keni thënë ndonjëherë?
Nuk kam një inventar fjalësh, por natyrisht ne kemi mirëkuptim. Dhe unë kam një vetëdije për ndihmën e madhe, të jashtëzakonshme që më ka dhënë. Në të gjitha momentet, ajo është një njeri shumë i sigurtë për mua. Një njeri që arriti të ndajë në mënyrë pothuajse të përsosur përkushtimin e saj si nënë, si bashkëshorte dhe pastaj si mjeke. Ajo edhe sot ështe besnike e profesionit të vet. Çdo ditë, ajo merret me fëmijët autikë, me një përkushtim të njëjtë që merrej 30 vite më parë.
Lili është një nga bekimet më të mëdha në jetën tuaj…
Kryesori!
Por ju keni dhe dy fëmijë. Cili prej tyre ju ngjan më shumë?
Fëmijët janë vetja e vet. Ndoshta pak më shumë vajza, por në tërësi janë vetja e vet. Ajo që u përpoqa që njëri prej tyre të bëhej mjek, asnjëri nuk u bë mjek.