Tech

Mediat e pavarura online të Turqisë përballen me rrezikun e mbylljes, shkak bëhet Google!

Disa media të pavarura turke përballen me rrezikun e mbylljes pas ndryshimeve të algoritmit të Google, të cilat kanë shkaktuar një rënie të ndjeshme të trafikut të lexuesve, sipas një deklarate të përbashkët të këtyre mediave. Sipas tyre, ndryshimet e algoritmit të Google që nga fundi i janarit kanë zhdukur shumicën e trafikut të lexuesve në faqet e tyre, të cilat më parë drejtoheshin përmes mjeteve të Google “Discover” dhe “News”, duke dëmtuar financat e tyre. Faqet e pavarura të lajmeve, si T24, Medyascope, Diken dhe Birgun, deklaruan se ndryshimet e Google gjithashtu kanë bllokuar qasje e publikut në lajme dhe se do të ndërmarrin veprime ligjore.

“Si organizata të pavarura mediatike që operojmë në Turqi, shpallim se do të mbrojmë të drejtat tona të korporatave, punën e punonjësve tanë dhe mbështetjen e lexuesve tanë, të cilat janë vjedhur nga veprimet e Google, në çdo platformë”-thanë ata. Ata njoftuan se do t’u drejtohen institucioneve ligjore vendase dhe ndërkombëtare, veçanërisht Autoritetit të Konkurrencës së Turqisë.

Një zëdhënës i Google, duke kërkuar anonimitet, tha se ndryshimet nuk synojnë faqe të veçanta dhe janë krijuar për të përmirësuar shërbimin e kërkimit në përgjithësi. “Ne nuk manipulojmë dhe nuk do të manipulojmë kurrë rezultatet e kërkimit, nuk modifikojmë produktet tona dhe nuk zbatojmë politikat tona për të promovuar ose dëmtuar ndonjë pikëpamje të caktuar”-tha zëdhënësi.

Në vitin 2024, Turqia u rendit në vendin e 158-të nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të organizatës Reporters Without Borders. Raporti theksonte se, me rreth 90 për qind të mediave turke nën ndikimin e qeverisë, qytetarët janë drejtuar drejt mediave kritike ose të pavarura për lajme të brendshme. Mediat e pavarura në Turqi mbështeten kryesisht te të ardhurat nga Google, pasi kompanitë private hezitojnë të reklamojnë në faqet e pavarura. Media e pavarur Gazete Duvar njoftoi mbylljen e saj, duke përmendur humbjet e të ardhurave të shkaktuara nga ndryshimet në algoritmin e Google, si dhe kushtet ekonomike shkaku i inflacionit.