Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, deklaroi ditën e sotme se presidenti amerikan Donald Trump kishte nisur një luftë të re duke sulmuar Iranin një veprim që, sipas tij, vetëm do të forcojë udhëheqësit në Teheran duke bashkuar shoqërinë rreth Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.
“Trump, i cili erdhi në pushtet si një president paqebërës, ka filluar një luftë të re për Shtetet e Bashkuara,” –tha Medvedev, -“Me këtë lloj ‘suksesi’, ai nuk do ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe.”
Sipas tij, regjimi politik në Iran është ruajtur dhe me shumë gjasë është forcuar më tej.
“Populli po bashkohet rreth udhëheqjes shpirtërore madje edhe ata që më parë nuk e simpatizonin atë.”
Medvedev theksoi gjithashtu se infrastruktura bërthamore iraniane nuk duket të jetë prekur nga sulmet amerikane, ndërsa paralajmëroi se SHBA-ja rrezikon të përfshihet në një operacion tokësor.
Kremlini, që ka një partneritet strategjik me Iranin dhe lidhje të ngushta me Izraelin, kishte paralajmëruar më herët se një sulm i SHBA-së ndaj Iranit do të përfundonte duke e zhytur të gjithë rajonin në “greminë”.
Presidenti rus Vladimir Putin kishte ofruar disa herë ndërmjetësim mes SHBA-së dhe Iranit, por javën e kaluar refuzoi të komentonte mbi mundësinë që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të synonin eliminimin e Khameneit. Ai pohoi se Izraeli i kishte dhënë garanci Moskës se specialistët rusë që ndihmojnë në ndërtimin e dy reaktorëve të rinj në centralin bërthamor të Bushehrit nuk do të preken nga sulmet ajrore.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë dënoi ashpër sulmet amerikane, duke i cilësuar si një goditje serioze ndaj Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore, raporton Reuters.