Rajoni

Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës!

Memli Krasniqi u rizgjodh në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, subjekt që doli i dyti në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Krasniqi falënderoi delegatët që e votuan gjatë Konventës së 11-të të PDK-së, si edhe u zotua se do të punojë që partia e tij të dalë e para në Kosovë.

Krejt çka di dhe krejt çka mundem do ta bëj për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës aty ku e ka vendin, si partinë më të madhe dhe udhëheqëse të Republikës së Kosovës.

Gjatë fjalimit në nisje të Konventës së PDK-së, Krasniqi vuri në dukje se Kosova ka nevojë të fokusohet te zhvillimi, siguria, drejtësia, mirëqenia e te integrimi euroatlantik, përkatërisht te anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimi Europian.

Ky është qëllimi ynë, ky është drejtimi ynë.

Teksa foli për situatën politike pas mbajtjes së zgjedhjeve të shkurtit, fajësoi fituesen e tyre, Lëvizjen Vetëvendosje, për “mbajtjen peng të formimit të institucioneve të reja”.

Ndonëse LVV-ja ka dalë e para në zgjedhje, ka humbur legjitimitetin për të qeverisur, si edhe përsëriti qëndrimin se dëshiron formimin e një ekzekutivi të ri, me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, me Bedri Hamzën në postin e kryeministrit.

Në zgjedhjet e shkurtit, Bedri Hamza, kryetari i Mitrovicës së Jugut, ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.

PDK-ja vazhdon t’i thotë “jo” çdo ideje për bashkëqeverisje që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje sepse kush e solli Kosovën në gjendjen më të rëndë që nga paslufta duhet të shkojë në opozitë.

Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti politik për shkak se Dhomat e Specializuara të Kosovës i konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga ajo kohë, Veseli është në paraburgim në Hagë. Po në Hagë gjendet edhe njëri nga themeluesit e kësaj partie, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është pjesë e aktakuzës së përbashkët me Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që të gjithë ish-udhëheqësit e UÇK-së janë deklaruar “të pafajshëm”.