Rajoni

Kosovë, sërish deputetët nuk arritën të konstituojnë Kuvendin!

Për të 35-ën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo është hera e 27-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht më 23 qershor, për të vazhduar seancën e konstituimit, që ka nisur më 15 prill.

Në deklarimet për media para dhe pas vazhdimit të seancës, palët akuzuan njëra-tjetrën në lidhje me përgjegjësinë për bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë argumentojnë se LVV-ja duhet të bëjë numrat për kryeparlamentar, por LVV-ja insiston se është përgjegjësi e të gjithë deputetëve.

Si fituese e zgjedhjeve të muajit shkurt, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Subjekti që drejtohet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet një figurë përçarëse, ndaj po kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.

Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit, nga e hapur në të fshehtë, prej javësh është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim”.

Mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajtimit rreth kryeparlamentarit, vendi ka mbetur pa institucione të reja. Pak kohë më parë, LDK-ja që doli e treta në zgjedhje, paraqiti një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë politike që të formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që Kosova të mund të dalë nga kriza ku është zhytur.