Gazetari i njohur Andi Vrapi ka sjellë një risi në botën online, duke prezantuar platformën e tij të parë të shkruar, me emrin “The Andidote”. Një emër tepër i goditur, të cilin ia atribuon CEO-s së Top Media-s, Lori Hoxha.
Në një postim në rrjetet sociale, ai zbuloi se ndryshe nga më parë, këtë herë ka zgjedhur të mos ndjekë këshillat e miqve për të nisur një podcast, por të krijojë një hapësirë ku fjala e shkruar të ketë vendin kryesor.
“The Andidote” do të jetë një dritare për reflektime personale, shpesh kritike e provokuese, mbi tema të ndryshme që përfshijnë artin, kulturën, muzikën, median dhe botën e showbizit.
Sigurisht që nuk mund të mungonte sarkazma e tij dhe humori gjatë prezantimit të këtij projekti, ku Vrapi iu është drejtuar ndjekësve me këto fjalë:
Kërkoj paraprakisht falje për herët që do zgjohem pa humor e nuk do të zgjedh paqe hahaha!
-duke lënë të kuptohet se lexuesit duhet të presin një qasje të drejtëpërdrejtë dhe pa doreza, si dhe personazhet për të cilët do të flitet.
Kjo nismë e re synon të krijojë një vend të veçantë, ku publiku jo vetëm informohet, por edhe ftohet të reflektojë e të debatojë mbi realitetin përreth, përmes syve dhe mendimit personal të autorit.