Aktualitet

Mesazhi i presidentit Begaj në 80-vjetorin e Çlirimit: U rreshtuam në anën e duhur të historisë!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka një mesazh për Ditën e Çlirimit dhe shkruan se 80 vite më parë, vendi ynë doli trimfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë. Në mesazh thuhet:

80 vite më parë, vendi ynë doli trimfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë. Mijëra shqiptarë, djem e vajza të vendit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për diçka që ata e kishin edhe më të shtrenjtë, lirinë.

Sot i përkujtojmë me mirënjohjen më të thellë dhe u përulemi me respektin më të madh. Sakrifica e tyre është amaneti ynë. Aspirata e tyre për liri mbetet detyrimi ynë për një Shqipëri të lirë e të përparuar. Lavdi përjetë Dëshmorëve të Atdheut!

80-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, autoritetet më të larta bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama, ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e të tjerë u përkulën me respekt dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Shqipëria feston 80-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë ndërsa me vendim qeverie ky është Vit Jubilar Mbarëkombëtar. Në program janë një sërë aktivitetesh, në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe sakrificës sublime të tyre. Institucione të ndryshme të kulturës kanë njoftuar për një program të larmishëm, për të festuar kulturën, historinë dhe traditat shqiptare me aktivitete. Kryeministri Edi Rama uroi më herët 29 Nëntorin.

Ambasada amerikane në Tiranë uroi 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Këtë vit, Shqipëria shënon 80 vjet nga çlirimi i saj prej pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore, kohë për të nderuar sakrificat dhe për të festuar qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së saj. Gëzuar 80-vjetorin e Çlirimit, Shqipëri, thuhet në një postim.