Nëse, siç tha Xhorxho Furlani para ndeshjes kundër Monzës, “sezoni i ardhshëm nuk mund të jetë si ky që lamë pas”, atëherë përkthimi është vetëm një: duhet të shmangen gabimet e përsëritura. Është e qartë se janë bërë shumë gabime, pa dyshim më shumë se ç’duhej dhe do të ishte e reduktuar t’i kufizonim ato vetëm në periudhën e vjeshtës së vonë, kur situata nisi të marrë tatëpjetën. Jo, gabimet datojnë që nga vera e kaluar, në javët kur Milani kërkonte zëvendësuesin e Piolit. Ka një lloj përsëritjeje të vonesës në veprimet e klubit kuqezi. Ky ka qenë, dhe vazhdon të jetë, një “Djall” i ngadaltë në konkretizimin e ideve në aspektin sportiv. Qoftë për shkak të mospërputhjeve të mundshme brenda drejtuesve, qoftë sepse zinxhiri vendimmarrës i Milanit përfshin disa hallka deri te drita jeshile përfundimtare nga “RedBird”. Kjo ngadalësi është vërejtur, për shembull, në zgjedhjen e Tare-s, i cili ndër kandidatët ishte i vetmi i lirë dhe mund të kishte filluar punën shumë më herët se fundi i majit.
Le të kujtojmë situatën e verës së kaluar, Pioli ishte në fund të rrugës dhe përtej deklaratave të pritshme formale, largimi ishte i pritshëm, po ashtu siç ndodhi këtë vit me Konseisao. Kjo do të thotë se, duke qenë një situatë e parashikuar dhe jo një ndarje e papritur, mund të kishte nisur puna për këtë që në kohë më të hershme. Megjithatë, pas rrotullimit të zakonshëm të emrave që lidhnin me “Djallin” – më apo më pak seriozisht – nga Tiago Mota te Sarri, nga vetë Konseisao deri te Gajardo dhe Skaloni, dhe pa që emri në krye të dëshirave të tifozëve (Conte) të ketë qenë kurrë vërtet afër kuqezinjve, profili që klubi mori seriozisht në konsideratë ishte ai i Lopetegi. Por më pas u tërhoq me një kthesë të papritur – edhe, por jo vetëm, për shkak të presionit të opinionit publik – dhe u përqendrua te Fonseka. Sqarojmë: portugezi mbërriti në mes të qershorit, pra, në kohë krejtësisht të përshtatshme për të përgatitur sezonin, por para emërimit të tij u regjistrua një kaos i konsiderueshëm.
Dymbëdhjetë muaj më vonë, në disa aspekte është edhe më keq. Më keq sepse një vit më parë grupi drejtues i klubit ishte i njohur dhe nuk pritej të ndryshonte. Këtë herë, megjithatë, ka ende një drejtor sportiv që nuk është zyrtarizuar dhe në horizont shfaqet një sezon pa Europë. Prandaj do të ishte e nevojshme të kishte ide shumë të qarta që nga fillimi, ndërsa tifozët përsëri kërkojnë me zë të lartë emrin e Kontes, që konsiderohet i vetmi profil në gjendje të rindërtojë nga rrënojat. Në të vërtetë, idetë nuk mungojnë. Finalja e Kupës së Italisë ka shërbyer si shkëndijë për emrin e Italianos, i cili, gjithashtu, ka qenë prej kohësh në listën e kuqezinjve. Megjithatë, situata në Bolonjë, deri tani, tregon më shumë për një qëndrim të tij në Emilia.
Sa i takon emrave të tjerë, Alegri rikthehet në modë me rregullsi, e njeh mirë ambientin dhe është një rindërtues i aftë, por duket se është tashmë i premtuar si trajner i De Laurentisit. Kjo do të thotë që Konte do të largohet nga Napoli, por me destinacion Juventusin. Me pak fjalë, në këtë moment dominoja e trajnerëve është e mundshme, madje e pritshme, por duket se nuk përfshin Milanin. Klubi për momentin qëndron në pritje, duke u përpjekur të kuptojë se ku dhe kur mund të futet në lojë, ndërsa tifozët – përtej shpresave te Konte – kërkojnë një gjë të vetme: një trajner me peshë, që mund të sjellë një kthesë të vërtetë.