Sport

Trajneri i ri te Milani, Igli Tare ka një emër të preferuar!

Milani është pranë një epoke të re në drejtimin sportiv, me Igli Taren që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim si drejtori i ri sportiv i klubit. Marrëveshja me ish-drejtuesin e Lazios është mbyllur dhe mungon vetëm firma për ta bërë gjithçka zyrtare.

Pavarësisht se ende nuk është prezantuar zyrtarisht, Tare ka nisur menjëherë punën, duke u përfshirë në një nga çështjet më urgjente për kuqezinjtë; zgjedhjen e trajnerit të ri që do të pasojë Sergio Conceiçaon.

Sipas raportimeve të fundit nga ‘Sportmediaset’, emri i preferuar i Tares është Vincenzo Italiano, trajneri që këtë sezon shkëlqeu në stolin e Bolognas. Italiano ka bërë hapa të mëdhenj në karrierë duke ndërtuar ekipe me identitet të qartë loje; nga Spezia, te Fiorentina dhe së fundmi Bologna, me të cilët fitoi një trofe historik (Kupa e Italisë), të parin për klubin pas 51 vitesh.

Arritja e një marrëveshjeje me Italianon nuk do të jetë e lehtë. Bologna ka lëvizur në prapaskenë për ta mbajtur trajnerin duke i ofruar një rinovim kontrate me kushte të përmirësuara financiare.

Nëse operacioni dështon, Milani ka identifikuar edhe një alternativë tjetër, Maurizio Sarri. Ish-trajneri i Napolit, Juventusit, Chelsea dhe Lazios është kontaktuar më herët nga kuqezinjtë, përpara se në skenë të dilte emri i Sergio Conceiçaos. Negociatat me Sarrin nuk prodhuan një marrëveshje në atë kohë, por ai mbetet një opsion i hapur nëse pista “Italiano” nuk konkretizohet.

Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të rëndësishme, ndërsa Milani po punon për të ndërtuar një projekt të ri ambicioz, nën drejtimin e shqiptarit Igli Tare.