Qeveria miratoi kontratën e koncesionit me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K – Konstruksion”, lidhur me projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë nyjës së Milotit dhe përfundon pranë rrethrrotullimit të Thumanës. Ky segment ekzistues është një karrexhatë me dy korsi, si dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (A1), me një trafikndarëse e korsi emergjence.
Kjo rrugë do të përmirësohet në një autostradë të plotë të Kategorisë A, së bashku me rrugët e shërbimit dhe sistemet e nevojshme ITS. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 vjet nga hyrja në fuqi e saj.
Korridori Adriatiko-Jonian (AIC) është identifikuar si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë korridorin kryesor të rrjetit të BE-së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatësia e vlerësuar e të gjithë Korridorit e Mesdheut është rreth 1550 km.
Në Ballkanin Perëndimor, korridori kalon nëpër Mal të Zi dhe në Shqipëri, afërsisht 20% e gjatësisë totale ose rreth 300 km. Krijimi i rrjetit që synon të forcojë sigurinë në rrugë, planifikimin e transportit, lidhjen rajonale, lëvizjen, konkurrencën dhe integrimin me rrjetin TEN-T të BE-së.
Hapja e autostradës së re Thumanë-Kashar do të pasojë me ndërtimin e rrugës Kashar – Lekaj (Rrogozhinë), pjesë të Korridorit Blu, Murriqan – Kakavijë, që lidh veriun me jugun e vendit. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”, sh.p.k., do të ndërtojnë me koncesion segmentin rrugor Kashar-Pezë-Lekaj, pjesë e Korridorit Blu.
Këshilli i Ministrave miratoi kontratën e koncesionit për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtje, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj. Kashar – Lekaj (Rrogozhinë) do të jetë një rrugë tërësisht e re, me ura dhe vepra arti e nga Rrogozhina do të vijojë ndërtimi i rrugës deri tek bajpasi i Fierit. Ky aks do të përshkohet për 25 minuta.
Po ashtu, qeveria miratoi kontratën koncesionare për segmentin Lekaj-Fier, pjesë e Korridorit Blu.