Bota

Ministrat e G7-ës takim në Itali për të diskutuar mbi konfliktet!

Ministrat e Jashtëm të Grupit të 7 shteteve më të industrializuara (G7) sot zhvillojnë takime dyditore pranë Romës, së bashku me homologët e tyre nga Lindja e Mesme. Më pas, ata do të diskutojnë edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë. Po ashtu, ministrat e G7-ës pritet të flasin edhe mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale lidhur me lëshimin e fletë-arresteve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu e shefin ushtarak të Hamasit, grupit palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Ndër të tjera, në fokus janë edhe “efektet e mundshme të krizës aktuale në Liban e Gaza”, siç u shpreh Ministria e Jashtme e Italisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të marrë pjesë në takimet me kolegë nga të tjera shtete të G7-ës: Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania, Franca e Japonia. Mikpritës është kryediplomati italian, Antonio Tajani. Sesioni i parë nis pasdite dhe i kushtohet situatës në Lindjen e Mesme e Detin e Kuq, sidomos mbi përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gaza e Liban.

Në një nga sesionet do të marrin pjesë edhe ministrat nga Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari e sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, siç njoftoi Ministria e Jashtme e Italisë.

Kemi kërkuar që të jenë të pranishëm edhe partnerët nga rajoni për të nxitur dialog me anëtarët e G7-ës. Vetëm së bashku mund të gjejmë zgjidhje konkrete dhe të sjellim paqe e stabilitet në rajon.

Në ditën e dytë të takimeve, ministrat do të diskutojnë për mënyrat se si të vazhdohet mbështetja për Kievin, mundësitë për paqe dhe nismat për rindërtimin në të ardhmen, deklaroi Roma zyrtare.

Po sot, në Bruksel, ambasadorët nga shtetet e NATO-s dhe Ukraina do të diskutojnë për lëshimin e një rakete të re hipersonike të Rusisë, me rreze të mesme veprimi. Tensionet në Azi-Paqësor po ashtu janë në axhendën e takimeve të ministrave të G7-ës e në takime janë ftuar edhe ministrat e Jashtëm të Koresë së Jugut, Indisë, Indonezisë e Filipineve. Kryediplomatët e G7-ës pritet të diskutojnë gjithashtu për krizat në Haiti e Sudan, si dhe për situatën politike në Venezuelë.